LAJMET E MBRËMJES

Nis gjykimi i parë në mungesë, Aksiq akuzohet për përfshirjen në Masakrën e Reçakut

Pëlqeje KTV Video për të parë video të përzgjedhura nga KOHA
 

Gjykata Themelore në Prishtinë ka nisur gjykimin e parë për krime lufte në mungesë - Çedomir Aksiq akuzohet për krime lufte në periudhën janar – maj 1999, përfshirë edhe pjesëmarrjen në Masakrën e Reçakut. Për mbrojtjen e të akuzuarit, Oda e Avokatëve ka caktuar një avokat në bazë të detyrës zyrtare. Gjykata konstatoi se janë plotësuar kushtet ligjore për të proceduar me gjykimin

Gjyqësori kosovar e ka përmbyllur seancën e parë të shqyrtimit fillestar për krime lufte në mungesë të të akuzuarit. Çedomir Aksiq, i akuzuar për krime lufte në rajonin e Shtimes në periudhën janar - maj 1999, përfshirë pjesëmarrjen në Masakrën e Reçakut, nuk ishte i pranishëm në seancën e së hënës në Prishtinë. Gjyqtarja Violeta Namani-Hajra ka konstatuar se janë plotësuar një mori kushtesh për nisjen e shqyrtimit fillestar.

“Gjykimi në mungesë mund të mbahet edhe pa plotësimin e kritereve të parapara nga neni 303 për praninë e të akuzuarit në çështjen penale pasi që gjykata të bindet se në rastin konkret janë bërë përpjekjet e arsyeshme për ta njoftuar të akuzuarin Çedomir Aksiq për seancën e shqyrtimit fillestar për ta siguruar prezencën e tij... Gjykata konform nenit 3, paragrafit 4 të Kodit të Procedurës Penale merr aktvendim”, ka thënë Namani-Hajra.