Lista Serbe është tërhequr nga kushtet e mëhershme për pjesëmarrje në zgjedhjet komunale në veri - që ishin largimi i njësive speciale nga veriu dhe themelimi i Asociacionit. Në koordinim me Beogradin zyrtar ky subjekt ka kërkuar dorëheqje të kryetarëve për t’u hapur rrugë zgjedhjeve, megjithëse Qeveria miratoi udhëzimin që atyre t’u hapet rrugë përmes peticionit për shkarkimin e kryetarëve. Përfaqësues komunalë në veri e kanë quajtur lojë politike të Beogradit dhe Listës Serbe duke përjashtuar mundësinë që të dorëhiqen nga postet e tyre
Lista Serbe ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veriun e populluar me shumicë serbe, por me kushte. Në linjë me qëndrimin e shprehur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që deklaroi se i inkurajon serbët të marrin pjesë në zgjedhje, subjekti që deri tash ka përfaqësuar këtë komunitet e ka gjuajtur topin në anën e Prishtinës. Ata kanë kërkuar që kryetarët shqiptarë të japin dorëheqje për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të reja.
“Është e nevojshme që këta kryetarë komunash dhe këta këshilltarë komunalë të rremë, joligjorë dhe jolegjitimë, që kanë muaj që ngacmojnë qytetarët tanë të japin urgjentisht dorëheqjen dhe të largohen, për të dalë nga godinat tona, sepse nuk janë përfaqësues të popullit tonë. Qëllimi i tyre i vetëm është të ngacmojnë shtetasit tanë", ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Ai ka shtuar se vendimet politike janë marrë gjithmonë në koordinim me Beogradin.
“Kjo është arsyeja pse këtë herë ne do të dëgjojmë këshillën e presidentit Vuçiq dhe sot po dërgojmë një mesazh se jemi gati të marrim pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës dhe Metohisë, dhe kështu të inkurajojmë procesin politik dhe dialogun që do të çonte në përmbushjen e kushteve tona që i kemi theksuar vazhdimisht deri më tani. Kjo është arsyeja pse ne i kërkojmë Prishtinës të shpallë zgjedhje të parakohshme lokale për kryetarë dhe këshilltarë në të katër komunat në veri të Kosovës dhe Metohisë sa më shpejt që të jetë e mundur”, është shprehur Rakiq.
Zmbrapsja nga kushtet e mëhershme
Por Vuçiqi u kërkoi serbëve që të ndërmarrin nismën për organizimin e zgjedhjeve.
“Do t'i kërkoja popullit tonë të dilte me nisma për organizimin sa më të shpejtë të mundshëm të zgjedhjeve në këto katër komuna. Sigurisht, kjo është kërkesa ime. Kështu i shikoj gjërat. Ndoshta ata shohin më mirë, më ndryshe, por kjo është kërkesa ime për ta”, ka deklaruar Vuçiq.
Sipas tij, kjo do të mundësojë që pushteti të kthehet tak ata që jetojnë në veri dhe nuk do të jetë më në dorë të atyre që “nuk do të jetojnë kurrë atje”.
Lista Serbe e as Vuçiqi nuk i kanë përmendur kushtet e vëna më herët për pjesëmarrje në zgjedhje, të cilat ishin largimi i njësive speciale nga veriu dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ky ndryshim i qëndrimeve vjen pas sulmit terrorist në Banjskë të Zvecanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Kosova e bëri përgjegjëse Serbinë për planifikimin dhe organizimin e sulmit, i cili u udhëhoq nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.
Pas dakordimit të arritur në Bratislavë mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe emisarit për dialogun, Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Qeveria ishte pajtuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri, krahas tërheqjes së njësive speciale përreth objekteve komunale. Për këtë qëllim Ministria e Pushtetit Lokal nxori udhëzimin e administrativ i cili hap rrugën për largimin e kryetarëve përmes peticionit. Por deri tash ka munguar një iniciativë e tillë, e cila duhet të shkojë përmes kuvendeve komunale.
Ugljanin: Nuk japim dorëheqje
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin, e ka quajtur lojë politike të Listës Serbe kushtëzimin me dorëheqje të kryetarëve dhe asamblistëve.
“Ata po mundohen ta kthejnë prapa situatën siç ka qenë më herët. Por Qeveria duhet ta ketë parasysh se ne jemi të gatshëm për dorëheqje kur të krijohet situata për pluralizëm politik. Kur të krijohen kushtet do të mendojmë për dorëheqje, por për momentin nuk janë. Ka kërcënime e veprime jodemokratike që pamundësojnë pluralizmin. Do të këtë trysni nga ndërkombëtarët për mbajtjen e zgjedhjeve por në këto rrethana nuk mund ta mbahen, sepse ata duan ta kthejnë kohën mbrapsht. Nuk mund të merren veprime të njëanshme, qeveria të marrë hapa konkretë që zgjedhjet të mbahen tek në vitin 2025”, ka theksuar Ugljanin. Sipas tij, deri tash ka munguar çfarëdo iniciative e serbëve për t’i larguar kryetarët përmes rrugëve ligjore.
Ndërkaq Visar Sylaj, këshilltar i kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka thënë se janë rregullat që e përcaktojnë rrugën drejt zgjedhjeve.
“Janë procedurat ligjore të Republikës së Kosovës që e përcaktojnë se kur dhe si shkohet në zgjedhje, jo kërkesat e Listës Serbe”, është shprehur Sylaj.
E njëra prej rrugëve të reja që ka miratuar qeveria është Udhëzimi Administrativ. Inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës mund ta bëjë secili qytetar apo grup qytetarësh me të drejtë vote në komunën përkatëse. Por kërkesa duhet mbështetur nga së paku njëzet për qind (20%) e votuesve të regjistruar, në mënyrë që të organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës.
“Qytetarët e interesuar për inicimin e procedurës së largimit të kryetarit të komunës nga funksioni duhet të themelojnë një grup nismëtar. Grupi nismëtar përbëhet nga tre ose më shumë qytetarë me të drejtë vote në komunën përkatëse”, thotë neni 5 i udhëzimit.
Grupi nismëtar para se të fillojë më mbledhjen e nënshkrimeve në mbështetje të kërkesës, duhet të njoftojë kryesuesin e Kuvendit Komunal dhe mund të njoftojë KQZ-në. Verifikimin e nënshkrimeve duhet ta bëjë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në përputhje me legjislacionin ku më pas e njofton kryesuesin e Kuvendit Komunal dhe Ministrinë me vlerësimin përfundimtar.
Sipas udhëzimit, nëse shumica e votueseve të komunës përkatëse nga lista përfundimtare e votuesve, 50+1 për qind votojnë për largimin e kryetarit, konsiderohet se kryetari i komunës është larguar nga funksioni.
Pas qëndrimit të Listës Serbe, ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, të premten nuk ka treguar nëse do t’ia përmbushin kërkesat. Por, para disa ditësh ai deklaroi se çfarëdo kërkese tjetër për largimin e kryetarëve në veri, përveç me peticion, është kërkesë e Serbisë dhe si e tillë nuk do adresohet.
Krasniqi ishte shprehur i bindur se me hartimin e udhëzimit administrativ për organizimin e peticionit, si dhe me zvogëlimin e numrit të policëve në veri për 50 për qind, është përmbushur dakordimi i arritur në Bratislavë.
Lista Serbe pati bojkotuar zgjedhjet e 23 prillit duke bërë që për herë të parë në katër komunat veriore të zgjidhën kryetarë shqiptarë. Vendosja e tyre në objektet komunale u përcoll me protesta të cilat përshkallëzuan në Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok edhe në përplasje mes protestuesve të dhunshëm dhe Policisë së Kosovës. Epiqendra e tensioneve ishte Zveçani ku si pasojë e dhunës së ushtruar dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it ishin lënduar. Cak i sulmuesve të dhunshëm kanë qenë edhe gazetarët.
Për rikthimin e normalitetit, BE-ja dhe SHBA-ja kërkuan që Kosova t’i tërheqë njësitë policore përreth objekteve komunale dhe që kryetarët ta ushtrojnë mandatin jashtë ndërtesave komunale. Dy prej kryetarëve nga radhët e PDK-së detyrat po i ushtrojnë në zyra alternative. I vetmi që është mbyllur në objektin komunal prej 29 majit është kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetimi.
Pavarësisht dakordimit, BE-ja ende nuk ia ka hequr masat sanksionuese Kosovës, të cilat ishin vendosur pas tensioneve në veri.