Shqetësime për mungesë komunikimi dhe bashkëpunimi me nivelin qendror kanë ngritur kryetarët e komunave në takimin e zhvilluar të hënën me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrat e linjës.
Kurti, pasi falënderoi kryetarët komunalë për solidaritetin e treguar pas ngjarjeve në veri të vendit, premtoi investime për të gjitha komunat pa dallim. Por edhe kërkoi nga udhëheqjet komunale që të zbatojnë legjislacionin, i cili bazohet në performancë e jo në preferenca.
“Buxheti për komunat në vitin tjetër është 742 milionë euro, po bëhet viti i dytë me radhë që rritja e buxheti është në shifër dyshifrore. Investimet kapitale në komuna përfshinë shumë sfera. Këto investime përfshin të gjitha komuna dhe pa diskriminuar asnjë komunitet. Kemi miratuar legjislacionin e nevojshëm që komunat të raportojnë bazuar në performancë e jo preferencë prandaj duhet të respektohen afatet. Ne jemi të gatshëm që bashkë me ministritë t’u ndihmojmë komunave”, theksoi Kurti.
E kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, njëherësh kryetar i Ferizajt, Agim Aliu, tha se ndryshimet ligjore për tatimin në pronë shpërfaqën mungesën e bashkëpunimit mes Qeverisë dhe nivelit lokal.
“Komunat u sfiduan me ndryshimet në ligjin për tatimin në pronë. Ne kërkojmë të ndahet buxhet shtesë për kryerjen e obligimeve komunale. Po ashtu është me rëndësi themelimi i grantit të 4 për komunat; të bëhet përshpejtimi i procedurave për lejimin e listës pritëse për punësim në arsim e shëndetësi. Po ashtu kërkojmë kthimin e pronave të AKP-së nën menaxhim të komunave si dhe plotësim ndryshimin e ligjit për prokurimin publik”, deklaroi Aliu.
Përveç pjesës së fjalimeve në hapje, pjesa tjetër e takimit vijoi pa prezencën e mediave. Pas përfundimit të takimit, ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se u trajtuan një sërë temash të ngritura qoftë nga Asociacioni apo nga kryetarët individualisht. Pjesë e takimit ishin edhe kryetarët e katër komunave veriore, ndaj të cilëve ende nuk ka një iniciativë për shkarkim përmes peticionit.
“Deri në këtë moment ne nuk kemi pranuar asnjë informacion nga kryesuesi i Kuvendit të Komunës, që një grup i qytetarëve është drejtuar tek ai për të njoftuar atë dhe autoritetet tjera që ka filluar një iniciativë për largimin e kryetareve të komunave përmes peticionit. E rëndësishme në këtë proces është se si Qeveri kemi treguar vullnetin e mirë dhe brenda një muajit kemi draftuar një udhëzim administrativ me standarde shumë të larta, i cili parasheh këtë procedurë në detaje”, theksoi Krasniqi.
Pas Marrëveshjes së Bratislavës mes Kosovës e BE-së, Qeveria pati miratuar Udhëzimin Administrativ, i cili hap rrugë për shkarkimin e kryetarëve komunalë përmes peticionit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.