Bashkimi Evropian do të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës kur Qeveria të veprojë në përputhje me rekomandimin e bllokut drejt shtensionimit të situatës në veri, ka thënë Alessandro Biancardi, zëvendësshef i seksionit për bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministren e Ekonomisë, me rastin e hapjes së thirrjes publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje, Biancardi ka thënë se stabiliteti politik është kyç për ta siguruar përafrimin e Kosovës drejt BE-së.
“BE-ja ka miratuar një sërë masash për ta bërë të qartë një mesazh dhe ka pezulluar dispozitën për ndihmën e re financiare për Kosovën. Në këtë aspekt dua të theksoj sërish se ky është një hap i kthyeshëm dhe se shkalla jonë e plotë e ndihmës financiare dhe e angazhimit politik do të rifillojë sapo qeveria të veprojë drejt depërshkallëzimit në përputhje me rekomandimin e BE-së. Ne sinqerisht shpresojmë se do të jemi në gjendje që t’i lëmë pas shumë shpejt të gjitha këto dhe do të kthehemi në fokusin tonë, te reformat që janë kritike për afrimin e Kosovës drejt BE-së”, tha Biancardi.
Masat ndëshkuese Kosovës i janë vendosur në korrik shkaku i tensioneve në veriun e banuar kryesisht me serbë. Në Qeveri thanë se heqja e tyre është premtuar fillimisht pas dakordimit të arritur në Bratislavë, e më pas edhe para takimit të 14 shtatorit në Bruksel.
Këto masa janë mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se shpreson që ato të mund të hiqen gjatë vitit të ardhshëm.
“Unë mendoj se këto masa janë duke pasur ndikim në Kosovë dhe në ekonominë e Kosovës. Shpresoj që të paktën në mënyrë bilaterale Shtetet e Bashkuara të mund të punojnë me Kosovën për të gjetur një mënyrë për t’i hequr ato masa në vitin 2024. Kështu që, ne do të vazhdojmë të punojmë me Kosovën për ta afruar me Bashkimin Evropian”, u shpreh Escobar.
Një kërkesë për heqjen e masave presidentja Vjosa Osmani ia ka adresuar edhe zëvendëskëshilltarit amerikan për Siguri Kombëtare, Jon Finer, në takimin e pati me të në New York.
“Presidentja Osmani tha se Kosova ka ndërmarrë hapa për depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës dhe është e përkushtuar të punojë me aleatët, në veçanti me SHBA-në, për të adresuar sfidat e sigurisë. Sipas presidentes Osmani, Kosova është e përkushtuar për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023. Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës do ta mundësojë rifillimin konstruktiv të dialogut, teksa roli i SHBA-së është përcaktues në dialog”, thuhet në komunikatën e Presidencës.
Kosova e BE-ja janë dakorduar në korrik për hapat që duhen ndjekur në funksion të shtensionimit të situatës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.