Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se ka vetëm një mënyrë se si dialogu Kosovë-Serbi mund të ecë përpara.
Duke folur për thirrjet që Asociacioni të formohet sa më parë, Konjufca ka thënë se ai duhet të paraprihet nga njohja e pavarësisë nga Serbia. E sipas tij, Asociacioni me njohjen është çelësi i avancimit të dialogut.
“Serbia duhet që të pajtohet se kur ta kalon kufirin në Merdare është në një shtet tjetër. Duhet ta njoh, flamurin, simbolet, nuk duhet që të na pengojë kur aplikojmë ne në organizata ndërkombëtare. Pastaj është në përgjegjësinë e Kosovës të gjejë një formë të asociacionit që është në përputhje me Kushtetutën dhe nuk e cenon rendin juridik”, ka thënë Konjufca.
Njëjtë si kryeministri Albin Kurti, edhe ai e ka kritikuar qasjen e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak. Sipas tij, Lajçaku është duke e bërë punën e vet në mënyrë të papërgjegjshme.
Për zhvillimet në dialog, një ditë pas takimit të 14 shtatorit, Kosova u është drejtuar SHBA-së, Gjermanisë, Francës e Italisë.
Deri më tash, autoritetet kosovare nuk kanë bërë të ditur nëse kanë marrë përgjigje. Letër, Kosova më pas u ka dërguar edhe vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian.
E ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, tha se me udhëheqjen e dialogut nga Lajçaku, disa herë kanë shprehur pakënaqësi.
Por, sipas saj, në takimin e 14 shtatorit, është mbushur kupa. Ka folur edhe për mundësinë e dështimit të të gjithë procesit.
“Javën e kaluar është mbushur kupa. Pra, ka qenë tepër i hapur qëndrimi i Lajçakut në favor të Serbisë. Janë prezantuar sikur të BE-së dokumente të cilat kanë qenë të Serbisë. Prandaj, për ne është bërë e pamundur që ta vazhdojmë këtë proces, në këtë formë… Ne mendojmë që ky proces i dialogut në Bruksel, i cili nuk ka asnjë strategji ose që ka strategji vetëm nga takimi në takim, dhe në takimin e ardhshëm ndryshojmë përsëri, është i destinuar të dështojë”, ka deklaruar Gërvalla.
Kryeministri Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq, u takuan më 14 shtator në Bruksel. Takimi përfundoi pa ndonjë rezultat. Kosova fajësoi BE-në se po ia mban anën Serbisë, derisa nga Brukseli fajin për dështimin e takimit ia lanë Kosovës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.