Trembëdhjetë vjet pas fillimit të bisedimeve Kosovë-Serbi, ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe ndërmjetësuese në dialog, baronesha Catherine Ashton, ende pret që të ketë përparim në këtë proces.
Ashton të premten ishte e pranishme në konferencën me temën: “Dialogu me Serbinë: Mësime nga e kaluara për të ardhmen e procesit”, organizuar në Prishtinë nga Grupi për Ballkan. Ajo ka theksuar se për përparim në dialog nevojitet udhëheqje dhe vendosmëri e përnjëmendtë për të bërë kompromis.
“Duhet udhëheqje e vërtetë, vendosmëri e vërtetë, të jesh i përgatitur për të lëvizur dhe menaxhuar situatën për të bërë kompromis në kuptimin më të mirë të kësaj fjale”. Bashkimi Evropian përbëhet nga 27 vende që kalojnë gjithë kohën e tyre duke bërë kompromise që u japin atyre rezultatet më të mira”, ka deklaruar diplomatja britanike. “Dhe ky është gjithashtu një element i rëndësishëm se si ia bëni që marrëveshjet të funksionojnë. Janë ndryshimet e vogla. Kurrë mos u dorëzoni, mos lëvizni kurrë nga parimet që mbani, mos lëvizni kurrë nga vendi ku dëshironi të shkojë shteti juaj, por të gjeni mënyra për të cilat mund t’i bëni ndryshimet e vogla, të ecni përpara me gjëra të vogla që mund të ndihmojnë për të ndërtuar idenë e madhe”.
Ish-ndërmjetësuesja e dialogut nuk pranoi ta komentojë propozimin që BE-ja ua paraqiti kryeministrit Albin Kurti e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel. Por e ka lavdëruar emisarin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, për të cilin tha se beson në të ardhmen e Kosovës.
“Dhe shpresoj që në muajt dhe vitet në vijim, ne do të shohim përparimin e dialogut. Nuk do të jetë e lehtë, por shpresoj se do ta bëjmë dhe ju do të mbështeteni në këtë nga shumë njerëz që duan të shohin sukses. Sidomos Miroslav Lajçak, i cili ndonjëherë nuk merr mirënjohjen që meriton, ai ka punuar për mua, dhe me mua për shumë vjet dhe ai është dikush që vërtet beson në të ardhmen e Kosovës”, ka theksuar ajo.
Ashton e shprehu gatishmërinë për ta ndihmuar procesin kurdo që kjo t’i kërkohet nga cilado prej palëve të përfshira. Megjithëkëtë, u pajtua me qëndrimin e kryeministrit Kurti që një ditë më parë ka theksuar se koha e Ashtonit ka përfunduar.
“Ai ka të drejtë, ato ditë ishin atëherë, kështu që është e rëndësishme që lidershipi të jetë atje tani në BE, dhe Kosova dhe Serbia mund të gjejnë mënyrat e punës për kundërshtimet, pasi ato identifikohen politikisht, ekonomikisht. Kështu që jam e lumtur gjithmonë të ndihmoj. Jam shumë e vetëdijshme se lidershipi duhet të vendosë ta çojë këtë përpara”, shtoi ajo.
E Philip Reeker, ish-zv.ndihmëssekretar amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, theksoi se duhet të kujtohen rezultatet e mëhershme të prodhuara nga dialogu.
“Të kthehesh pas gjithë asaj pune e të shohësh që akoma po flasin për targa, e hatashme! Si ndihmon kjo që të shkollohet një fëmijë apo të arrihet diçka. I dëgjoj njerëzit këtu të flasin për parime, por është e rëndësishme të dish si t’i balancosh këto parime, këto vlera me nevojat për siguri, ato ekonomike e politike. Janë krijuar këto kriza të pakuptimta në vend që të bëhen gjëra me më shumë rëndësi në botën e 2023-s”, ka thënë ai.
Në konferencë morën pjesë edhe përfaqësues të partive politike në vend, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë.
Pas diskutimit baronesha Ashton e promovoi edhe librin e saj me titull: “Dhe, pastaj çfarë? Brenda tregimeve të diplomacisë së shekullit 21”.
Catherine Ashton ka qenë pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri në vitin 2014, kur vendin e saj e ka zënë italiania Federica Mogherini.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.