LAJMET E MBRËMJES

Kurti flet për zgjedhje pas verës, s`tregon nëse ka garanci për pjesëmarrjen e serbëve

Një ditë pas publikimit të hapave për të cilët Kosova dhe BE-ja janë pajtuar në funksion të shtensionimit të situatës në veri, kryeministri Albin Kurti ka folur për to. Ai pret që me dakordimin e arritur Kosova dhe Serbia të jenë në pozicione të njëjta të negocimit. Është deklaruar edhe për mënyrën se si do të mbahen zgjedhjet në katër komunat veriore, por nuk ka treguar nëse kanë garanci nga BE-ja për pjesëmarrjen e serbëve në to

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pret që dakordimi i arritur në Bratislavë t’i vendosë Kosovën e Serbinë në pozicione të barabarta.

Sipas Kurtit, me masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, është cenuar një gjë e tillë, e që ka ndikuar edhe në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe në Ohër.

“...Që të dy palët duhet të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta. Kjo është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e BE-së. Dakordimi i Bratislavës do të ndihmojë shumë në përqendrimin e fokusit në vendosjen e barazisë midis palëve që ndihmon zbatimin e marrëveshjes bazike”, ka thënë Kurti.

Përveç në mbledhjen e Qeverisë, lidhur me dakordimin e arritur të martën ndërmjet emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, dhe zv.kryeministrit Besnik Bislimi, Kurti ka folur edhe në Podujevë, ku mori pjesë në vënien e gur themelit të një qendre multifunksionale.

Kurti tha se janë pajtuar që të zvogëlohet numri i policëve në dhe përreth ndërtesave komunale në veri për shkak të uljes së tensioneve javëve të fundit.

“Ne çfarë kemi dakorduar në Bratisllavë dje pas konsultimeve edhe me policinë e Kosovës është se pas këtyre dy javëve dukshëm më të qeta dhe te sigurta në veri të Kosovës, mund ta zvogëlojmë praninë e policisë, pra numrin e gjithmbarshëm për 25 për qind apo për ¼”, ka shtuar Kurti.

Shefi i Qeverisë ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri do të bëhet përmes organizimit të peticioneve, e jo duke u kërkuar dorëheqja e kryetarëve në veri. Por nuk tregoi nëse nga Bashkimi Evropian kanë marrë garanci për pjesëmarrjen e serbëve në to.

“Unë si kryeministër i Republikës së Kosovës duhet të krijoj kushte përzgjedhje të lira e demokratike e fer që paraprihen nga një fushatë parazgjedhore e cila ua mundëson të gjithëve që të garojnë pa frikë, të votojnë pa kërcënime dhe unë e dua pluralizmin politik, cila parti garon e cila parti nuk garon unë nuk imponojë dot”, ka deklaruar ai.

Një ditë pas takimit ndërmjet Lajçakut dhe Bislimit, BE-ja ka bërë të ditur hapat për të cilët janë dakorduar për shtensionim të situatës në veri.

Përveç zvogëlimit të policëve dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme pas verës në veri, palët janë pajtuar edhe për vlerësim të situatës së sigurisë së bashku me EULEX-in dhe KFOR-in, si dhe për një takim ndërmjet kryenegociatorëve për sekuencim të zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel e Ohër.

Të gjitha këto do të zbatohen në një afat prej dy javësh.

Pajtimi i Kosovës me hapat për shtensionimin e situatës është mirëpritur nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell. Ai tha se pret hapa të tjerë pozitivë nga Kosova. Ndërkohë dakordimin Kosovë – BE, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka vlerësuar si formë që Perëndimi të kërkojë arsye që faji t’i vihet Serbisë.