LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Të zbatohet marrëveshja për normalizim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje që marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë të gjejë zbatim. Duke folur mbi veriun nga një konferencë ndërkombëtare në Dubrovnik, ai ka thënë se konform kërkesave të SHBA-së dhe të BE-së, prania e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës mund të zvogëlohet në veri pasi ekstremistët e dhunshëm të ndalin trazirat

(KTV) - Kosova e Serbia kanë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve që duhet ta zbatojnë, ka thënë të premten kryeministri Albin Kurti në konferencën: “Kroacia evropiane: Retrospektiva dhe perspektiva”, që mbahet në Dubrovnik. Në sfondin e kërkesave të adresuara nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për largimin e kryetarëve nga objektet komunale në veri dhe të njësiteve speciale të policisë, Kurti ka theksuar se Kosova mund të zvogëlojë praninë e njësive speciale nëse ekstremistët e dhunshëm i ndalin trazirat.

“Kosova duhet të përballet me ekstremistët e dhunshëm, ultranacionalistët, të djathtët, që besojnë në ‘botën serbe’ dhe e shikojnë atë me botën ruse... këta janë njerëz që e admirojnë Millosheviqin apo Putinin”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se Kosovës i duhen sundimi i ligjit dhe një datë për zgjedhje të reja në veri, që u kërkua nga faktori ndërkombëtar.

“Mendoj se kjo është rruga përpara, së bashku me dialogun intensiv për zbatimin e marrëveshjes, sepse ne kemi një marrëveshje që duhet ta zbatojmë”.

Në mars Kosova e Serbia u pajtuan për zbatimin e marrëveshjes së BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, e cila “de facto” do të sillte njohje reciproke, por presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, refuzoi ta nënshkruante atë.

“Kjo është një arritje e madhe e BE-së. Kemi arritur në një situatë ku Kosova dhe Serbia përfundimisht kanë një marrëveshje për normalizim”, ka shtuar Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se Bashkimi Evropian është projekti më i rëndësishëm i paqes dhe prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore dhe se ai iu bashkua dialogut me Serbinë sepse, sipas tij, ishte “organizuar nga Bashkimi Evropian, i cili i lehtëson bisedimet”.

Në fund të majit veriu i banuar kryesisht me serbë u përball me trazira shkaku i protestës së serbëve lokalë kundër vendosjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale në Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok. Në përleshjen mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë lëndime pësuan me dhjetëra ushtarë të KFOR-it.