Gjykata Themelore në Prishtinë i dënoi të enjten me nga një vit burgim zyrtarët e regjistrit civil të Fushë-Kosovës, Latif Ibrahimi dhe Bejtullah Shala, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Gjykata konstatoi se Ibrahimi e Shala kanë futur në regjistër civil emrat e shtetasve të huaj pa pasur vendim paraprak që ata e fitojnë shtetësinë e Kosovës.
Verdikti i Gjykatës përmban dënim shtesë për të dy zyrtarët, si dhe ua konfiskon shtetasve të huaj dokumentet e nxjerra kundërligjshëm.
“I shqiptohet dënim plotësues: ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës me kohëzgjatje prej 2 vjetësh”, ka thënë Kushtrim Shyti, kryetar i trupit gjykues. “Konfiskohen certifikatat e qytetarëve të përshkruara si në aktakuzë, si në dispozitivat 1 dhe 2 të aktakuzës dhe anulohet regjistrimi në regjistrat e gjendjes civile, pasi këto veprime regjistrimi janë rezultat i kryerjes së veprës penale”.
Bazuar në aktakuzë, Ibrahimi i përfshiu në regjistrin civilë 34 të huaj pa e siguruar shtetësinë ata nga Ministria e Brendshme, ndërsa Shala 37. Shumica nga ta kanë emra shqiptarë, por ka edhe serbë.
Prokurorja Merrushe Llugiqi kërkoi dënimin e tyre dhe bëri të ditur se disa prej personave që janë evidentuar në regjistrin civil paraprakisht Ministria e Punëve të Brendshme ua ka refuzuar kërkesën për shtetësi.
“Latif Ibrahimi dhe Bejtullah Shala, si persona zyrtarë në Zyrën e Gjendjes Civile në Fushë-Kosovë, kanë regjistruar persona në librat qendrorë të gjendjes civile edhe kur iu është refuzuar shtetësia”, ka thënë prokurorja Llugiqi. “Në rastin konkret është vërtetuar se Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion me vendime ua ka refuzuar shtetësinë personave.”.
Mbrojtësi i Ibrahimit, Shemdi Bunjaku, e kundërshtoi pretendimin e Prokurorisë dhe tha se veprimet e klientit të tij nuk kanë rënë ndesh me ligjin.
“Qytetarët, të cilët janë regjistruar e të cilët hetuesia dhe Prokuroria i kanë intervistuar dhe i kanë marrë në pyetje, nga asnjëri nuk është vërtetuar se për asnjë qëllim nuk janë detyruar apo udhëzuar që të veprohet me qëllim nga ky regjistrim, përveç një të drejte që ka qenë e garantuar ligjërisht”, ka thënë Shemdi Bunjaku, avokat i Ibrahimit.
E në parashtresën që e dorëzoi mbrojtësi i Shalës, Rrustem Lajqi, thuhet se gjatë gjykimit nuk është vërtetuar qëllimi kriminal dhe përfitimi nga vepra e keqpërdorimit.
“Se i mbrojturi im nuk ka pasur asnjë përfitim e tregojnë deklaratat e dhëna në Polici të disa prej personave, të cilët, sipas Prokurorisë, janë regjistruar kundërligjshëm e nga të cilët ka hequr dorë të dëgjohen në shqyrtim, sepse dëshmia e tyre veç dihet”, shkruan në parashtresë. “Në rastin më të pavolitshëm, në këtë çështje penale kemi të bëjmë me lajthim faktik, pasi që te z. Shala me asnjë element nuk është manifestuar dashja apo qëllimi që të kryhej vepra penale e të përfitojë diçka prej saj”.
Dënimi efektiv me 1 vit burgim nuk është i pari për Ibrahimin. Muajin e kaluar ai u dënua për vepër të ngjashme penale me gjashtë muaj burgim, por që iu zëvendësua me 5.000 euro gjobë.
Gjykimi i shkallës së parë ndaj Ibrahimit dhe Shalës mund të kontestohet në Gjykatën e Apelit, qoftë nga mbrojtja apo edhe nga organi i akuzës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.