LAJMET E MBRËMJES

24-vjetori i masakrës së Dubravës shënohet me thirrjet për drejtësi për të vrarët e të mbijetuarit

Udhëheqësit e institucioneve kanë kujtuar të vrarët e një prej masakrave më të mëdha në Kosovë të kryera nga forcat serbe, atë të Dubravës. Për viktimat e të mbijetuarit e kësaj masakre drejtësia nuk është vënë ende në vend. E për një gjë të tillë kanë bërë thirrje liderët institucionalë e politikë, të hënën

Drejtësi për viktimat e masakrës së Dubravës është kërkuar në 24-vjetorin e saj, të hënën.

Teksa bënë homazhe në hapësirat e këtij burgu, të mbijetuarit e masakrës u kërkuan institucioneve të drejtësisë, por edhe kryeministrit Albin Kurti të veprojnë.

"Ju shoku ynë i burgosur, kryeministër Albin Kurti dhe Ministria e Drejtësisë kërkoni nga Prokuroria të ngrejë kallëzime penale kundër kriminelëve serbë për krime lufte në Burgun e Dubravës ndaj të burgosurve shqiptarë", ka theksuar i mbijetuari i masakrës së Dubravës, Nait Hasani.

Pjesë e ceremonisë përkujtimore nuk ishte presidentja Vjosa Osmani. Por, përmes një komunikate për media, ka thënë se të burgosurit në Dubravë janë mbajtur padrejtësisht si pengje të luftës nga pushteti gjenocidal i Serbisë.

“Masakra e Dubravës është një nga krimet më të tmerrshme të regjimit kriminal serb gjatë vitit 1999, prandaj drejtësia për të gjitha viktimat dhe të mbijetuarit do të jetë triumf i së vërtetës”, thuhet në komunikatë.

Këtë masakër, që u krye në periudhën 19-24 maj 1999, kryeparlamentari Glauk Konjufca e vlerësoi si aktin më të shëmtuar që ka bërë Serbia.

“I shoh edhe familjarët që për 24 vjet jetojnë me peshën e padrejtësisë. Kur është puna për UÇK-në po ka drejtësi e për forcat paramilitare serbe, me përgjegjësi të qartë që dihet për gjithë fushatën e gjenocidit që e ka bërë në Kosovë, nuk po ka drejtësi”, tha Konjufca.

E kryeministri Albin Kurti tha se Burgu i Dubravës ishte shndërruar në një kamp të të burgosurve politikë.

“Të burgosurit politikë shqiptarë në Jugosllavi, që përgjithësisht përfaqësonin aktivizmin e kulluar politik kombëtar të kohës, ishin si një kategori më vete, që nuk mund të injorohej dhe as të shmangej. Sepse ishte vetë fryma dhe puna e tyre e trashëguar dhe e përcjellë nga një grup te tjetri, nga njëra organizatë ilegale te tjetra, ajo që prodhoi organizimin politik dhe ushtarak që e solli çlirimin e Kosovës”, theksoi Kurti.

Të vrarët në këtë masakër janë kujtuar edhe nga liderët opozitarë.

Në 24-vjetorin e masakrës së Dubravës, homazhe janë bërë edhe në Kaçanik, në Kompleksin Memorial të Varrezave të Dëshmorëve. Më 1999, forcat serbe vranë mbi 100 të burgosur shqiptarë e plagosën mbi 200 të tjerë.

Rreth 1.000 të burgosur u rreshtuan në oborrin e burgut, që atëherë shërbente si burg i sigurisë së lartë dhe më pas u qëllua mizorisht mbi ta.