Me ceremoni e procedurë të shkurtër është përmbyllur procesi i betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, ka premtuar se gjatë mandatit të tij do të angazhohet për të gjithë qytetarët pa dallim. Mbështetje për kryetarin e ri e ekipin e tij ka ofruar edhe ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Ai ka paralajmëruar organizim të ngjashëm edhe për kryetarët e tri komunave tjera në veri. E betimi i kryetarit të Mitrovicës së Veriut ka nxitur reagime e pakënaqësi në Serbi, por edhe përgjigje ndaj tyre në Kosovë
Në Komunën e Mitrovicës së Veriut nga tani e tutje do të valojë flamuri i Kosovës. Ai është vendosur të premten, disa minuta para se drejtimin e kësaj komune në veri ta merrte kryetari i ri, Erden Atiq.
Gjatë gjithë kohës, përgatitjet për seancën ku do të betohej Atiq janë bërë nën përcjelljen e Policisë së Kosovës. Në afërsi të Komunës janë parë edhe pjesëtarë të EULEX-it e karabinierët italianë.
Seanca që u drejtua nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Nexhat Ugljanin, filloi me disa minuta vonesë, por nuk ka zgjatur shumë. Pjesë e saj ishte edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniq.
Atiqi në fjalimin e tij është zotuar se dyert do t’i mbajë të hapura për të dëgjuar problemet me të cilat përballen qytetarët.
“Ne me gjithë ekipin, unë si kryetar komune shpreh se kena me punu për të gjithë qytetarët e Komunës veriore të Mitrovicës pa dallim dhe pa diskriminim. Angazhimin më të madh do ta bëjmë për të normalizuar këtë pjesë të komunës edhe u bëjmë ftesë të gjithë qytetarëve që të vijnë të na takojnë, të na vizitojnë këtu dhe të bashkëpunojmë sa më mirë për të mirën e qytetarëve”, ka thënë Atiqi.
Vendimin e parë si kryetar, ai e kishte emërimin e nënkryetares së komunës, e që vjen nga komuniteti serb, Katarina Agjançiq. Nënkryetaren e re të komunës, Atiq e ka prezantuar si personalitet të respektuar në komunitet.
Ndërsa vetë nënkryetarja deklaroi se do të angazhohet në ndryshimin e situatës në veri.
“Përfundimisht duhet të fillojmë të bëjmë diçka. I dini të gjitha ato që kanë ndodhur edhe gjatë kohës së dimrit, edhe në pranverë, kështu që jemi të vendosur të kemi një ekip të mirë dhe bashkëpunim të mirë me qytetarët”, ka thënë Agjançiq.
Mbështetje për kryetarin e sapozgjedhur ka ofruar ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili mori pjesë në ceremoninë e betimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut. “Shumë e rëndësishme që qytetarët e pjesës veriore të kenë shërbime adekuate cilësore dhe të kenë komunën dhe kryetarin dhe nënkryetarin afër tyre. Për ne është shumë e rëndësishme kjo përbërje e kabinetit të kryetarit. Është shumë e rëndësishme që qyteti shumë etnik të ketë edhe këtë përbërje, secili vendim dhe veprim i kryetarit do të ketë mbështetjen e nivelit qendror”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka paralajmëruar se proceset e tilla të betimit të kryetarëve të rinj në tri komunat e tjera veriore do të organizohen së shpejti, por pa dhënë ndonjë datë.
“Ditëve në vijim sigurisht që do të vazhdojmë me organizimin e seancave të kuvendeve, të konstituohen kuvendet aty ku duhet të bëhen dhe dhënien e betimit të kryetarëve të komunave. Sigurisht që propozimi për datën do të vijë nga vetë kryetarët e zgjedhur dhe ne si ministri do t’i asistojmë për organizimin e seancave”, shtoi ai, derisa insistonte që është në pritje të propozimeve nga kryetarët e zgjedhur për mbajtjen e ceremonisë së betimit. “Seancat organizohen në koordinim me kuvendet komunale është në mandatin e kryetarëve të zgjedhur që ta ftojnë seancën në momentin kur ta ftojnë seancën, atëherë ne do të asistojmë”.
Një ditë më parë, fillimisht ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier e më pas edhe ambasadorët e tjerë të QUINT-it kanë bërë thirrje që institucionet e Kosovës të mos përdorin forcën gjatë procesit të sigurimit të qasjes së kryetarëve të rinj të komunave të veriut, në objektet komunale.
E për forcën që përdorën për të penguar hyrjen në objektin e Komunës së Zveçanit, javën e kaluar u arrestuan dy persona. E pak ditë më vonë u intervistuan dy të tjerë, që policia i kapi tek saldonin portën hyrëse të godinës së Komunës së Zubin Potokut.
Deklaratat e ndërkombëtarëve nuk pranoi që t`i komentojë kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut. Atiq ka thënë se ndonëse do të dëshironin që të kishte rezultat më bindës në zgjedhje, procesi ka shkuar në përputhje me Kushtetutën e ligjet në fuqi.
“Procesi zgjedhor e gjithçka ka shkuar në kuadër dhe margjina të ligjeve, sa u përket deklaratave nuk kam çfarë të shtoj përveç se jemi për të gjithë qytetarët, kisha pasë qejf me dalë përqindje ma e madhe e qytetarëve, ky është rezultati”, ka deklaruar ai.
Derisa situata e sigurisë ishte e vëzhguar edhe nga lart, me të përfunduar i gjithë procesi, para Komunës së Mitrovicës së Veriut u pozicionuan një grup grash e vajza të reja. Për qëndrimin e tyre nuk pranuan të tregojnë arsyet.
Betimi i kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka nxitur kundërshtimin e Beogradit zyrtar dhe të Listës Serbe.
Me të përfunduar ceremonia, në selinë e kësaj partie në qendër të qytetit, nënkryetari Igor Simiq ka thënë në një konferencë shtypi se vendosja e kryetarit të ri përbën okupim.
“Zyrtarisht filloi okupimi i veriut të Kosovës dhe ky, si çdo pushtim tjetër, ka fillimin dhe fundin e tij. Ajo do të përfundojë atëherë kur të vendosin serbët. Po e theksoj në emër të Listës Serbe, në emër të kryesisë së Listës Serbe, në emër të të gjithë popullit serb që jeton në territorin e Kosovës, se jemi të përkushtuar për paqen”, ka thënë Simiq.
Sipas tij, kryeministri Albin Kurti duhet ta ndalë, siç tha, represionin mbi popullin serb. Në të kundërtën, është kërcënuar se nga 1 qershori do ta marrë përgjigjen nga serbët e veriut.
Pas vendosjes në zyrë të kryetarit të ri të Mitrovicës Veriore, edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, iu ankua emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, ka thënë se në bisedën me Lajçakun, Vuçiq e ka paralajmëruar për pasojat.
Ndërsa, në një tubim në Pançevë, Vuçiq ka kritikuar vendet perëndimore për njohjen e rezultatit të zgjedhjeve lokale që janë mbajtur muajin e kaluar në katër komunat e veriut.
“Bëni çka të doni jashtë, por këtu nuk do të lejoj ta shkatërroni Serbinë dhe nuk do ta keni një Kosovë të pavarur siç ju doni. Duhet të zgjidhni të tjerë”, ka deklaruar Vuçiq.
Por, në Prishtinë kanë thënë se nuk do t’u nënshtrohen kërcënimeve. Presidentja Vjosa Osmani dha zotimin se procesi i betimit të kryetarëve të rinj të të katër komunave në veri do të përmbyllet brenda afateve ligjore.
“Siç e dini, zgjedhjet janë mbajtur për shkak se Kushtetuta jonë dhe legjislacioni në fuqi kërkon që të mbahen zgjedhjet sa herë që një kryetar komune jep dorëheqje. Ajo që e ka krijuar këtë situatë ka qenë dorëheqja e ish-kryetarëve të komunave veriore. Në këtë situatë ne kemi pasur obligime kushtetuese dhe ligjore dhe institucionet e sigurisë kanë bërë çmos që dita e zgjedhjeve të shkojë pa as një problem. Tash jemi në një situatë ku përkundër përqindjes së vogël, ligji nuk kërkon ndonjë përqindje të caktuar të pjesëmarrjes. Dhe kryetarët dhe të gjithë të zgjedhurit kanë detyrim që brenda afateve ligjore ta bëjnë betimin dhe të fillojnë punën e tyre”, ka deklaruar ajo.
Sipas presidentes Osmani është e rëndësishme që kryetarët e rinj të bindin qytetarët e tyre për projektet që kanë.
“Çka është me rëndësi është që të gjithë kryetarët të punojnë me qytetarët që banojnë në këto katër komuna dhe t’i bindin që të gjitha projekt janë në të mirë të tyre, shërbimet administrative janë në të mirë të tyre, siguria është në të mirë të tyre. Projektet ekonomike i fuqizojnë ata. Pra, secili veprim është për të mirën e qytetarëve dhe jo të kundërtën dhe ne presim që të gjitha këto procedura të shkojnë pa ndonjë problem dhe pa ndonjë tension”.
Erden Atiq është zgjedhur kryetar i Mitrovicës së Veriut, në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill, e të cilat u shoqëruan me dalje të ulët të qytetarëve. Pas Atiqit betimin si kryetar pritet ta bëjnë edhe të zgjedhurit për komunat e Zveçanit, Zubin-Potokut e Leposaviqit. Zgjedhjet në katër komunat veriore janë mbajtur më 23 prill, pas dorëheqjes së kryetarëve dhe asamblistëve, me kërkesë të Listës Serbe. Procesi u bojkotua në masë nga serbët e veriut, e edhe nga kjo parti që tani konteston legjitimitetin e strukturave të reja lokale.