LAJMET E MBRËMJES

Dëshmitarja e parë e Prokurorisë dëgjohet në seancë të mbyllur

Dëshmitarja e parë në rastin e ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specilizuara në Hagë është dëgjuar të martën në seancë të mbyllur për publikun. Vendimi për mbylljen e seancës u mor me kërkesë të Prokurorisë, për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, shpalosja e të cilit u vlerësua se mund ta rrezikojë identifikimin e dëshmitarëve

Dëshmia e dëshmitares së parë të Prokurorisë në rastin e ish-pjesëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi – të akuzuar për krime lufte e për krime kundër njerëzimit në Dhomat e Specializuara në Hagë - është dëgjuar të martën në një seancë të mbyllur për publikun.

Vendimi për mbylljen e dëshmisë u mor pas kërkesës së prokurorit, Matt Halling.

Trupi gjykues e aprovoi kërkesën me justifikimin se me anë të pyetjeve dhe përgjigjeve mund të zbulohej identiteti i dëshmitares.

“Nëse s’ka gjë tjetër, siç u kemi parashtruar me email palëve dhe trupit gjykues, na duhet të kalojmë në seancë private gjatë të gjitha pyetjeve që do t’i bëjmë ne për këtë dëshmitar, në mënyrë që t’i mbulojmë çështjet plotësuese që i kemi parashtruar më herët”, ka thënë prokurori Halling.
Këtë kërkesë, kryetari i trupit gjykues Charles Smith e aprovoi.

Në Prokurorinë Speciale dhe në Gjykatë thanë për KOHËN se edhe seancat e së mërkurës dhe të së enjtes pritet që të mbahen të mbyllura në shumicën e kohës, kur dëshmitarët japin dëshmitë e tyre.
Seancat në Speciale janë përcjellë në vazhdimësi me ndërprerje të transmetimeve sa herë që është vlerësuar se ekziston rreziku për identifikimin e dëshmitarëve. Për këtë shkak është zbatuar vonesa prej 45 minutash në transmetim të tyre.

Shpalosja e informatave mbi dëshmitarët bën pjesë te veprat penale kundër administrimit të drejtësisë, është e dënueshme me ligj. Për këtë, Specialja më 2 shkurt ka konfirmuar dënimet me nga 4 vjet e tre muaj burgim dhe 100 euro gjobë për ish-liderët e OVL të UÇK-së.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, akuzohen nga Prokuroria Speciale për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës së viteve 1998-1999.

Në aktakuzën e konfirmuar në shkurt të 2023-tës, ata ngarkohen se morën pjesë drejtpërsëdrejti në frikësim, marrje në pyetje dhe keqtrajtim të të ndaluarve nëpër qendra ndalimi në Kosovë e Shqipëri.

Aktakuza përfshin mbi 400 viktima të mbajtjes në qendrat e ndalimit, mbi 100 vrasje dhe 20 të zhdukur me dhunë.

Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi i mohuan akuzat në fillim të procesit gjyqësor, përderisa mbrojtja, në shpalosjen e fjalës hyrëse, pretendoi se UÇK-ja nuk pati organizim hierarkik të tillë që parashihte që anëtarët e Shtabit t’i kontrollonin zonat operative e komandat lokale.