LAJMET E MBRËMJES

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi deklarohen të pafajshëm

Pas 2 vjetësh e gjysmë në paraburgim, sot ka nisur shqyrtimi kryesor pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, në rastin ku ish-drejtuesit e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë u deklaruan të pafajshëm. E në fjalët hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar u tha se viktimat ishin të komuniteteve të ndryshme, por shumica shqiptarë që shiheshin si tradhtarë e kundërshtarë politikë

Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë deklaruar të pafajshëm në seancën e fjalës hyrëse, të parën të shqyrtimit kryesor të rastit ku akuzohen nga Specialja për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Ish-anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, që Zyra e Prokurorit të Specializuar i akuzon për ndërmarrje të përbashkët kriminale, thanë se i kuptojnë akuzat dhe se i konfirmojnë deklaratat e dhëna më herët se nuk janë përgjegjës për asnjë nga pikat e aktakuzës.

“E kuptoj, jam plotësisht i pafajshëm”, tha ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“E shpreh pakënaqësinë time për një vonesë të tillë dyvjeçare e gjysmë, megjithatë ju falënderoj. Tërësisht i pafajshëm”, tha ish-kryekuvendari Kadri Veseli.

“E konfirmoj edhe një herë që jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, tha ish-kryetari i Grupit Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi.

“Unë nuk kam asnjë lidhje me asnjërën prej pikave që i lexoi prokurorja para pak kohe. Aktakuzën e kuptoj kështu siç është, por nuk pajtohem me të, pasi nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilën flet aktakuza”, tha ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Prokurorët e ZPS-së pretenduan se janë rreth 1.000 dëshmitarë për krimet, që sipas tyre, i kanë kryer të akuzuarit. Numri i atyre që pritet të dëshmojnë në cilësi të viktimave është 140. Sipas ZPS-së, shumica e viktimave ishin shqiptarë, e që shiheshin nga të akuzuarit si tradhtarë e kundërshtarë politikë.

“Provat do të tregojnë se katër të akuzuarit në rolet e tyre si udhëheqës të lartë të Shtabit të Përgjithshëm mbështetën dhe zbatuan një politikë e cila i vendoste në shënjestër ata persona të cilët konsideroheshin prej tyre si kundërshtarë, përfshirë ata që akuzoheshin si kolaboracionistë, shpesh mbështetur në asgjë, pos lidhjeve me institucionet serbe, si dhe personat e perceptuar si jo-mbështetës të qëllimeve apo mjeteve të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës”, tha Alex Whiting, ushtrues detyre i kryeprokurorit të ZPS-së.

Whiting pretendoi për mbi 100 vrasje të kryera nga të akuzuarit.

“Ata të cilët perceptoheshin si kundërshtarë të tillë përfshinin persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, LDK, si dhe persona me përkatësi etnike serbe apo rome…Aktakuza përfshin dhe ne synojmë të vërtetojmë qindra burgosje në mbarë Kosovën, zakonisht në kushte të tmerrshme keqtrajtimi dhe mbi 100 vrasje, shumica e viktimave të të akuzuarve ishin shqiptarë të Kosovës”, tha Whiting.

Si dëshmi për dijeninë e tyre dhe për dashjen e tyre për keqtrajtim të atyre që i shihnin si tradhtarë e kundërshtarë politikë, ZPS-ja ka paraqitur video-materiale, dokumente si komunikatat e UÇK-së, procesverbalet e takimeve dhe vendimet e Këshillit të Përgjithshëm të UÇK-së. Sipas Prokurorisë, disa prej dokumenteve janë konfiskuar nga shtëpia e Jakup Krasniqit dhe ajo e Rexhep Selimit.

“Për pjesën më të madhe të periudhës së aktakuzës Shtabi i Përgjithshëm ishte i vendosur këtu në malet e Berishës, në afërsi të Kleçkës, në një vend të quajtur Divjakë ..... Pjesëtarët e Shtabit të UÇK-së kanë udhëtuar në masë të madhe në shtabet e UÇK-së në të gjithë Kosovën dhe në zona të tjera, megjithatë kjo zonë është vendi ku ka qëndruar kryesisht Shtabi i Përgjithshëm”, tha Mat Halling, prokuror i ZPS-së.

E mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, tha se ndër viktimat ka edhe ish-pjesëtarë të UÇK-së. Ai, po ashtu, tha se nuk po gjykohet ushtria, por individët.

“Kur flasim për krimet e bëra kundër viktimave duhet gjithmonë të kuptohemi që u referohemi krimeve të kryera nga pjesëtarë të caktuar të UÇK-së dhe nuk duhet të kuptohet si akuzim i organizatës, i UÇK-së në vetvete”, tha Laws, mbrojtësi i viktimave.

Sipas aktakuzës së publikuar në shkurt të këtij viti, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi e kanë ditur ose kanë pasur arsye të dinin për krimet që ndodhnin nëpër vende të ndryshme të Kosovës e Shqipërisë. Seanca e radhës mbahet nesër me fjalën hyrëse të mbrojtjes së të akuzuarve.