Ish-deputet dhe i biri i presidentit Ibrahim Rugova, Ukë Rugova, ish-ministër i Kulturës, Astrit Haraqija, ish-punonjës i Ambasadës italiane në Kosovë, Florjan Petani, dhe Izet Beqiri e Qefser Baholli janë liruar të enjten nga akuza për krim të organizuar ndërlidhur me shitjen e vizave italiane. Ai dhe të akuzuarit Izet Beqiri e Qefser Baholli janë dënuar me gjoba lidhur me armëmbajtje pa leje. Ndërkaq ish-ministri i Kulturës, Haraqija, bashkë me Petanin janë liruar nga të gjitha aktakuzat
Ukë Rugova, ish-deputet dhe i biri i presidentit, Ibrahim Rugova, Astrit Haraqija, ish-ministër i Kulturës, Florjan Petani, ish-punonjës i Ambasadës italiane në Kosovë, dhe Izet Beqiri e Qefser Baholli janë liruar të enjten nga akuzat për krim të organizuar në rastin e njohur si “vizat italiane”.
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur ata të pafajshëm për akuzat që ndërlidhen me kontrabandimin e emigrantëve dhe me shitjen e vizave italiane në Kosovë.
Fatime Dërmaku, kryetare e trupit gjykues, ka thënë se vendimi për lirim është pasi që provat e ofruara nuk e kanë vërtetuar përfshirjen e tyre në vepër penale.
“Nuk u provua se të njëjtit kanë kryer veprën penale krim i organizuar, nga neni 283, paragrafi 2, lidhur me veprën penale kontrabandim me emigrantë nga neni 170, paragrafi 1 dhe 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë Dërmaku, teksa e ka lexuar aktgjykimin para të pranishmëve në gjykatore.
Me gjithë këtë vendim, ndaj Ukë Rugovës, Izet Beqirit dhe Qefser Bahollit janë shqiptuar gjoba ndërlidhur me veprën penale “posedim i paautorizuar i armëve”, pasi që atyre u ishin konfiskuar revole pa leje.
“I pandehuri Ukë Rugova, për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 374, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës i shqiptohet dënim me gjobë prej 6000 eurosh. Ndaj të pandehurve Izet Beqiri dhe Qefser Baholli për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës secilit veç e veç Gjykata i shqipton dënim me gjobë në shumën prej nga 3500 eurosh”, ka thënë Dërmaku.
Ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija, është liruar nga të gjitha akuzat, sikurse edhe ish-punëtori i Ambasadës italiane, Florjan Petani, nga ndjekja penale e të cilit, në seancën e 27 marsit, është tërhequr prokurorja speciale Florije Shamolli.
Bazuar në procedura, Gjykata u ka dhënë palëve 30 ditë kohë për të paraqitur ankesa ndaj aktgjykimit në Gjykatën e Apelit.
Arrestimet e para lidhur me rastin janë kryer nga misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, në vitin 2014, përderisa aktakuza është ngritur dy vjet më vonë, më 2016.
Ky është aktgjykimi i parë i shqiptuar për këtë rast. Në proces gjyqësor në Gjykatën Themelore në Prishtinë është edhe rasti “Ukë Rugova 2”, në të cilin përfshihen 15 persona.