Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka refuzuar ta gjykojë qasjen e Serbisë në raport me obligimet e dala nga marrëveshja e dakorduar me Kosovën në Ohër.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se nuk do ta zbatojë një pjesë të marrëveshjes që lidhet me procesin e integrimit të Kosovës.
I pyetur për këtë, pas vizitës në Komunën e Preshevës, ambasadori Hill ka thënë se zbatimi i dokumentit do t’u sjellë përfitime të dyja vendeve.
“Ajo që ne pamë të gjithë është se në këto takimet e Ohrit, për të cilat Qeveria e Maqedonisë së Veriut ishte nikoqire, dolën disa rezultate shumë të mira, të cilat do të mund të ndihmojnë në normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo nuk ka qenë e lehtë, as për z. Kurti, as për z. Vuçiq, por ajo çka mund të them është se një progres goxha i mirë është arritur në këtë takim”, tha Hill.
Hill ka përmendur Asociacionin si një ndër elementet kryesore të marrëveshjes së dakorduar, e po kështu edhe veprimet e Serbisë drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
Në Preshevë, Hill është takuar ne kryetarin Shqiprim Arifi.
Arifi tha po ashtu se ka njoftuar ambasadorin amerikan lidhur me telashet me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës.
“Në këtë kontekst ne duam të kontribuojmë, por me një kërkesë që të drejtat tona në Luginë të Preshevës të respektohen, të garantohen ashtu siç u garantohen të gjitha minoriteteve në rajon dhe te ne jo vetëm që të garantohen dhe respektohen, por edhe të shtohen edhe në atë aspektin e sasisë sepse ne kemi mangu në drejtat tona në jetën tonë”, tha Arifi.
Për adresimin e shqetësimeve që ka dëgjuar nga përfaqësuesit shqiptarë, ambasadori Hill ka kërkuar pak hapësirë kohore.
“Do të kthehem në Beograd dhe më leni të mendoj dhe të shoh se si mund të jem i dobishëm, por mendoj se është shumë e rëndësishme se njerëzit e kanë të qartë në atë çfarë e thonë dhe çfarë kërkojnë", tha Hill.
Një ditë më parë, ambasadori i SHBA-së në Serbi ka qëndruar edhe në Bujanoc, e ku po ashtu është takuar me përfaqësues shqiptarë të Luginës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.