Mospërzgjedhja e anëtarëve të Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale ka shkaktuar përplasje verbale mes deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati. Ish-kryeministri Hoti akuzoi Muratin për përgjegjësinë që ka në humbjet e mjeteve në Trust, ndërsa Murati me një kundërpërgjigje kërkoi nga Hoti të mos shkaktojë panik te qytetarët me deklarime, që ai i ka quajtur të pavërteta
Mosfunksionalizimi i Bordit Drejtues të Trustit ka shkaktuar debat të ashpër mes ministrit të Financave, Hekuran Murati, dhe deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti. Në Komisionin për Buxhet, të premten, Hoti ka kërkuar sqarime nga Komisioni Përzgjedhës për konkursin për anëtarë të ri të Bordit duke thënë se po rrezikohen kursimet e qytetarëve.
“Ministër, unë e di që ti je i papërgjegjshëm, ti duhesh të ndihesh në faj para qytetarëve që na ka ndodhur kjo situatë dhe të thuash që do të bëjmë sa më shpejt një zgjidhje. Me pasë pak përgjegjësi për menaxhimin e 2.5 miliardë eurove që nuk kanë zot, që sot të menaxhojmë ato”, ka thënë Hoti.
Ai ka thënë se do t’i publikojnë paratë që Trusti ka investuar në banka që kanë falimentuar.
“Kur flas ju kisha lutur me qenë seriozë dhe mos me u zgërdhi. Ti e di që unë nuk të respektoj fare”, ka thënë ai.
Por, këto deklarime sipas ministrit të Financave nuk janë të vërteta, derisa ka akuzuar Hotin se po shkakton panik tek qytetarët.
“Është totalisht joserioze që të bëni fushatë të tillë drejt një institucioni në të cilin ruhen paratë e qytetarëve. Mos hyni në fusha që nuk i kuptoni, bëhet fjalë për performancë negative rreth 1.01 për qind”, ka thënë Murati.
Bordit Drejtues të Trustit i ka skaduar mandati në nëntor të vitit 2022, por në mungesë të anëtarëve të rinj, mbështetur në ligj, atyre u është vazhduar mandati edhe për tre muaj, deri në shkurt. Aktualisht Bordi i Trustit është jofunksional.
Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, që sipas ligjit është kryetar i Komisionit për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Trustit, ka thënë se i ka njoftuar anëtarët e komisionit me kohë për skadim të mandatit të anëtarëve.
“Më 10 mars të vitit 2022 e kam pranuar një email nga Trusti ku thuhet se janë dy pozita vakante në bordin e tij. Më 14 mars të atij viti kam dërguar email tek auditorja dhe ministri, por që nuk kam marrë email, e më 24 tetor 2022 për dy anëtarë dhe anëtarët e tjerë. Më 28 tetor 2022 kam pranuar pëlqimin nga auditorja për të vazhduar me procedurat”, ka thënë ai.
Sipas tij, më 24 nëntor ka pranuar përgjigje edhe nga ministri.
“Konkursi për anëtarë të bordit ka përfunduar më 23.12.2022 . Më 5 janar 2023 përmes emailit kam kërkuar takimin e komisionit për të diskutuar, por që nga 5 janari nuk kam pranuar asnjë email”, ka thënë guvernatori Mehmeti.
Auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca ka thënë se nuk ka pranuar email të 14 marsit. Sipas Spancës, ndërkohë e ka kuptuar se pjesë e procesit duhet të jetë edhe Ambasada e Britanisë, si monitoruese e konkursit, por që nuk ishte ftuar.
Konkursi për anëtarë të bordit të Trustit është hapur më 2 dhjetor dhe është mbyllur më 23 dhjetor. Sipas Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, Bordi udhëheqës përbëhet nga 8 anëtarë, njëri prej të cilëve nuk ka të drejtë vote.
Komisioni për përzgjedhje përbëhet nga guvernatori i BQK-së – kryesues, auditori i përgjithshëm dhe ministri i Financave.
Anëtarët e Bordit kanë mandate trevjeçare me mundësi të rizgjedhjes. Nëse mandati i anëtarëve skadon dhe asnjë anëtar i ri nuk emërohet, atëherë anëtarët e Bordit ekzistues do të vazhdojnë mandatin për 90 ditë.