LAJMET E MBRËMJES

Debati për dialogun, nën hijen e përplasjes së Kurtit me krerët opozitarë

Në një atmosferë përplasjesh verbale e polemikash është zhvilluar debati parlamentar, në të cilin kryeministri Albin Kurti ka raportuar për takimin e Ohrit. Liderët e PDK-së dhe LDK-së e akuzuan Kurtin për shkelje parimesh, por morën sugjerimin nga ai që të mos sillen si aktivistë të Vetëvendosjes.

Në seancën e Kuvendit ku është debatuar për takimin e fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, salla plenare është kthyer në arenë përplasjesh mes kryeministrit Albin Kurti dhe liderëve të dy partive kryesore opozitare

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e akuzoi kryeministrin për shkelje të parimeve nëpërmjet pranimit të marrëveshjes në Ohër, por mori kundërpërgjigjen e menjëhershme të Kurtit.

“Ju ka premtuar gjithmonë se nuk do të ketë Asociacion, nuk do të ketë ‘Zajednicë’, ndërsa sot jo vetëm Asociacion, por ka rrezikuar t’ju japë autonomi politike serbëve të Kosovës”, tha Krasniqi.

“Marrëveshjen e 2013-s dhe 2015-s me shumë zell e patën nënshkruar Daçiqi e Vuçiqi. Nga vrapimi për të nënshkruar me ju, jemi në fazën ku ikin prej meje se nuk duan të nënshkruajnë”, u përgjigj Kurti.

Për të njëjtat çështje polemizuan edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e kryeministri Kurti.

“Kurti e ka shndërruar një marrëveshje bazë pa njohje në të me të drejta vetëmenaxhuese për serbët dhe me status politik për Kishën Ortodokse Serbe si kritere të pandryshueshme”, deklaroi Abdixhiku.

“Ju lutem mos e thoni atë që nuk po e thotë as Serbia, nuk është vetëmenaxhimi vetëvendosje, madje nuk është as vetëqeverisje e as vetadministrim, është vetëmenaxhim”, tha Kurti.

Polemikat mes tyre vazhduan edhe më tej kur Krasniqi e Abdixhiku thanë se Kurti i ka tradhtuar ndjekësit e tij, duke hequr dorë edhe nga qëllimet politike.

“Deputeti Krasniqi e deputeti Abdixhiku po flasin si me qenë aktivistë të Vetëvendosjes që kanë dhënë dorëheqje e janë të pakënaqur me kryetarin...”, u shpreh Kurti.

“Koha kur Vetëvendosja ka pasur dorë në LDK ka vdekur”, iu përgjigj Abdixhiku.

“Ka dy vjet që LDK-në e ka marrë lumi, LDK-në e ka marrë Vjosa, e ka marrë lumi Vjosa”, vazhdoi Kurti.

Debati mes Kurtit dhe Abdixhikut përshkallëzoi, pasi u lexuan disa vargje të Azem Shkrelit.

“Sikur të takoheshim me veten sy më sy a kishim me u puthë apo kishim për t’u pështy, e mendoni çfarë shikimi do të kishte Albin Kurti në pasqyrë”, tha Abdixhiku.

“Unë s’e bëj asnjërën por kolegët e mi që e njohin Abdixhikun më mirë se unë po thonë se e dinë mirë se çfarë bën ky para pasqyrës”, iu përgjigj Kurti.

Në seancën që shpërfaqi ndasi mes spektrit politik për marrëveshjen e fundit Kosovë-Serbi, deputetë të pushtetit dhe opozitës miratuan tri marrëveshje ndërkombëtare.