LAJMET E MBRËMJES

Opozita kritikon Kurtin se ka pranuar të krijojë pushtet të ri në Kosovë, e fton për raportim

Marrëveshja e dakorduar në Ohër, në fundjavën që shkoi, do të jetë temë diskutimi të enjten në Kuvendin e Kosovës. Pos raportimit të kryeministrit Albin Kurti për këtë marrëveshje, deputetët do të diskutojnë edhe për punën 2-vjeçare të Qeverisë që udhëheq ai. E për Aneksin, me të cilin janë pajtuar të shtunën Kosova dhe Serbia, partitë parlamentare kanë qëndrime të ndryshme

Në këndvështrime krejt të kundërta e shohin pushteti dhe opozita Marrëveshjen dakorduar në Ohër më 18 mars.

Partitë në opozitë kanë kritika për njërën pikë të saj, atë për sigurimin e nivelit të duhur të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë.

Derisa ato e kritikojnë kryeministrin Albin Kurti se është duke lejuar një pushtet të ri me pranimin e përgjegjësive të reja pos Asociacionit, në partinë në pushtet, Vetëvendosje, thonë se gjithçka do të jetë në përputhje me Kushtetutën.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të hënën, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se ka vërejtje serioze në marrëveshjen e arritur.

“Natyrisht që ka një shqetësim serioz lidhur me kompetencat që i jepen një komuniteti serb në Republikën e Kosovës, kemi qenë shumë të qartë në shqetësimet që i kemi adresuar. Kryeministri dje madje kishte edhe lojë fjalësh se çka quajmë vetadministrim dhe vetëmenaxhim. Tha që ka një dallim në mes të vetë menaxhimit dhe vetadministrimit. Unë ftoj gjuhëtarët e njohur që ta thonë qartësisht se cili është dallimi ndërmjet vetëmenaxhimit dhe vetadministrimit”, theksoi Deliu-Kodra.

Sipas deputetit të LDK-së, Armend Zemaj, Kosovës do t`i kushtojnë shumë përgjegjësitë që ka marrë me Marrëveshjen e dakorduar në Ohër.

“Përtej obligimit për Asociacionin pjesa që është marrë e vetmenaxhimit ose e krijimit të një linje direkte të komunikimit me qeverinë të komunitetit serb nuk përkthehet ndryshe vetëm krijimi i një pushteti të ri, i cili do të jetë në disfavor për të ardhmen e Republikës së Kosovës pa e siguruar së paku edhe njohjen edhe pa e siguruar së paku integrimin ose edhe njohjen e pesë shteteve të tjera, por edhe ulësen në Kombet e Bashkuara”, deklaroi Zemaj.

Aneksin e zbatimit të propozimit evropian në tërësi, si dhe pikën për nivelin e duhur të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë në veçanti, ndryshe e sheh shefja e deputetëve të Vetëvendosjes.

“Në situatën aktuale një numër i konsiderueshëm i këtyre të drejtave nuk janë në funksion ose nuk janë në funksion të komunitetit për arsye të refuzimit të tyre që të jenë pjesëmarrës aktivë në shoqërinë në Kosovë dhe kjo e nënkupton një punë shumë më të madhe në raport me angazhimin e tyre dhe natyrisht me heqjen e pengesave nga ana e Serbisë...”, tha shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.

Marrëveshja e arritur në Ohër do të jetë temë diskutimi në Kuvend të enjten, siç do të jetë edhe puna 2-vjeçare e Qeverisë së drejtuar nga Kurti.

Në Kryesinë e Kuvendit po ashtu është vendosur që të mërkurën të mbahet seancë me pikat e papërfunduara nga mbledhjet e kaluara.