LAJMET E MBRËMJES

SHBA-ja në pritje të zbatimit, kërkon zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka pritur të hënën 26 ambasadorët e akredituar në vend. Pas takimit me Kurtin, ambasadori i SHBA-së tha se do të jenë në pritje të hapit të radhës për formimin e Asociacionit. Zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër e kanë kërkuar edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Gabriel Escobar, e ambasadorët e Britanisë së Madhe në Kosovë e Serbi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i kanë ndarë nga njëra tjetra pikën e Marrëveshjes së Ohrit që flet për nivel të vetëmenaxhimit të serbëve në Kosovë e formimin e Asociacionit.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pas takimit me kryeministrin Albin Kurtin, ka thënë se presin zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, në mesin e tyre edhe atë për Asociacionin.

“Lidhur me pyetjen për Asociacionin, unë do të jem shumë i qartë: pritjet e SHBA-së mbesin ato që janë. Njëra nga elementet e Marrëveshjes bazë është që të gjitha marrëveshjet paraprake mbeten valide, kjo përfshin marrëveshjen e arritur në Bruksel rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne besojmë që ka një rrugë përpara për implementimin në Marrëveshjen bazë të arritur në shkurt dhe aneksin e zbatimit në Ohër. Ne presim lëvizjen e ardhshme për Asociacionin”, ka deklaruar ai.

Sipas Hovenier-it, me kërkesën që kanë ndaj tij është pajtuar edhe kryeministri Albin Kurti.

“Ne kemi një kërkesë të vazhdueshme që kryeministri Kurti të punojë me ne që të përmbushë obligimet që ka Kosova, të implementojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe që është pjesë e gjithë këtij procesi. Dhe sot me kryeministrin ne të gjithë kemi folur për rëndësinë që ka, dhe ai është pajtuar me të, që të ecë përpara me zbatimin e të dyjave, Marrëveshjes bazë, të gjitha elementet e saj njashtu, si edhe me aneksin e Marrëveshjes”, ka theksuar ai.

Ambasadori i SHBA-së ishte në mesin e 26 ambasadorëve të akredituar të Kosovës që të hënën janë takuar me kryeministrin Kurti.

takimit me ambasadorët, kryeministri Kurti nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me vetëmenaxhimin e serbëve në Kosovë me arsyetimin se është vonë me agjendë.

“Nuk kam kohë ...”, ka thënë ai.

E pas takimit, Zyra e Kryeministrit përmes një njoftimi ka bërë të ditur se anëtarët e korit diplomatik Kurti së bashku me zv.kryeministrin Besnik Bislimi i ka njoftuar me ecurinë e bisedimeve dhe me rezultatin e arritur në Ohër.

“Kryeministri Kurti theksoi se delegacioni i Republikës së Kosovës ka qenë maksimalisht i përkushtuar dhe konstruktiv, por edhe kreativ me oferta e propozime që u refuzuan nga pala tjetër, e cila, sikurse në Bruksel më 27 shkurt, përsëri refuzon të nënshkruajë. Rruga për procedimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian është e hapur”, thuhet në përgjigje.

Të hënën edhe dy ambasadorët britanikë, në Kosovë e Serbi, kanë kërkuar nga të dyja palët të nisin me zbatimin e marrëveshjes së dakorduar.

“Ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar në Beograd dhe Prishtinë mirëpresin marrëveshjen e kësaj fundjave në Ohër: Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq bënë një hap të guximshëm dhe domethënës përpara duke rënë dakord për një plan për zbatim këtë fundjavë. Ne presim – dhe jemi të gatshëm të mbështesim – të dyja palët që të lëvizin shpejt për ta bërë Marrëveshjen realitet”, thuhet në deklaratën e tyre.

Nisjen e menjëhershme të zbatimit të Marrëveshjes e ka kërkuar edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Gjatë një diskutimi virtual me gazetarë, Escobar tha se pajtimi i arritur më 18 mars është marrëveshje “në të gjitha aspektet” dhe është ligjërisht e obligueshme, që do të jetë pjesë e rrugës evropiane të të dyja shteteve.