Udhëheqës të tri shteteve të mëdha të Bashkimit Evropian i janë drejtuar me letër të përbashkët kryeministrit Albin Kurti në prag të takimit të nivelit të lartë në Bruksel. Në këtë letër përgëzohen deklaratat e Kurtit në përkrahje të propozimit evropian, derisa i kërkohet nisja e menjëhershme e zbatimit të obligimeve të marrëveshjeve të mëhershme, duke e përmendur konkretisht Asociacionin.
Nënshkrimin e planit evropian si dhe zbatimin e tij, përfshirë edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kanë kërkuar udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Italisë, para takimit mes kryeministrit Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Në letrën që mban datën 24 shkurt, por që Zyra e Kryeministrit e ka publikuar të dielën, një ditë para takimit në Bruksel.
Kancelari gjerman, Olaf Scholtz, presidenti francez, Emmanuel Macron e kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, kanë kërkuar nga kreu i ekzekutivit kosovar që të nisë zbatimi i menjëhershëm i obligimeve të marrëveshjeve të mëhershme.
“Në konkludimet e veta më 9 shkurt, Këshilli Evropian ka shprehur përkrahjen për këtë marrëveshje të rëndësishme dhe në të njëjtën kohë u ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës ta zbatojnë, plotësisht dhe pa kushte, obligimet e marra në dialog, përfshirë edhe marrëveshjet nga vitet 2013 dhe 2015 për krijimin e një Asociacioni/Komuniteti të komunave me shumicë serbe. Hapat e zbatimit që qëndrojnë para nesh duhet të pasqyrojnë këtë qasje politike, duke siguruar se si ‘Marrëveshja Bazë’ dhe po ashtu obligimet e mbetura nga dialogu të adresohen në mënyrë adekuate dhe pa vonesa”, thuhet në letrën e treshes evropiane.
Në këtë letër, është përgëzuar kryeministri Kurti për deklaratat e tij e publike në përkrahje të propozimit evropian.
E thirrje për nënshkrimin e planit evropian në takimin e së hënës, ka bërë edhe emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ai në një intervistë për agjencinë e lajmeve të Malit të Zi, “MINA”, ka thënë se nënshkrimi eventual i marrëveshjes do të hapte dyert për integrimin politik dhe ekonomik të Kosovës dhe Serbisë në Evropë.
E takimi i së hënës është kualifikuar si proces i rëndë nga kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq.
“Është e sigurt që nesër nuk do të jetë aspak një ditë e lehtë, por unë jam me zemër e shpirt me presidentin Aleksandar Vuçiq. Ata që dhanë atë që askush nuk u kërkoi derisa ishin në pushtet, realisht nuk duhet t’i kërkojnë asgjë presidentit Vuçiq. Ata tash, derisa presidenti Vuçiq po lufton për interesat tona kombëtare dhe për paqen dhe stabilitetit, duhet të heshtin. Nuk kanë të drejtë për t’i thënë asgjë presidentit të Republikës që luftoi për të rikuperuar çështjen e Kosovës e Metohisë, që sërish të jetë në rend të ditës”, ka thënë kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.
E pyetur për letrën e tri shteteve të mëdha drejtuar presidentit Vuçiq, Bërnabiqi ka thënë se asaj nuk i takon ta komentojë atë.
Por ka shtuar se shpreson që në takimin e së hënës Vuçiqi do të mund t’i ruajë interesat kombëtarë të Serbisë.