Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës kryeministri Albin Kurti i ka paraqitur 6 kushte pas plotësimit të të cilave ai tha se do ta themelonte Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Për to pati disa kritika nga partitë opozitare të cilat thanë se kryeministri i Kosovës tashmë është pajtuar për të themeluar Asociacionin. Kushtet e Kurtit kanë nxitur debat të gjatë e të ashpër brenda seancës së Kuvendit të Kosovës.
Diskutimin jashtë rendit të ditës që deputetët opozitarë e nisën me koeficientin e Ligjit të Pagave në Kuvend, deklarimi i kryeministrit Albin Kurti për Asociacionin ua devijoi tërësisht.
Kryeministri paraqiti 6 kushtet që i ka vendosur ndaj kërkesës ndërkombëtare për themelimin e Asociacionit.
Ai tha se Asociacioni i dalë nga marrëveshja Thaçi-Daçiq mund të bëhet, mes tjerash, vetëm pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
“Përveç Kushtetutës dhe Ligjit janë edhe pesë kushte të tjera. Monoetnik nuk bën. Reciprocitet midis Kosovës dhe Serbisë sa U përket të drejtave të pakicave. Shuarje e strukturave dhe dorëzim i armëve ilegale. Zbatimi, vetëm pas njohjes reciproke dhe në përputhje me OKB-në ku Serbia duhet t’i ketë pranuar parimet dhe raportet ndërshtetërore me ne. Dhe e fundit, presidenti i Serbisë t’i tërheqë ato pesë letra që i ka dërguar në Spanjë, Sllovaki, Rumani, Greqi edhe në Qipro”, tha Kurti.
Por kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, e akuzoi Kurtin se ia ka dhënë dritën e gjelbër themelimit të “Zajednicës”.
“Asociacioni po bëhet. Po bëhet. Ky është thelbi i diskutimit të tij... A je i vetëdijshëm çfarë po flet, si me i pasë dy pole të mendimeve. A je mirë?” u shpreh Abdixhiku.
“Ju lutem, ruajeni qetësinë dhe racionalitetin. Qetësi, racionalitet”, iu përgjigj Kurti.
Deputetët e LDK-së vazhduan me kritikat ndaj kushteve të Kurtit, ndonëse nuk e mohuan se pajtohen me to.
“Po thoni që i keni 6 kushte, Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj i ka nxjerrë 22 kushte. Si i reduktove në 6?”, tha shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
“Ato 22 udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese tregojnë se sa herë kryetari juaj i nderit e ka shkelur Kushtetutën. Profesori, që do të thoshin disa, edhe unë”, u përgjigj Kurti.
Nga ligjvënësit opozitarë Kurti u kritikua se ka ndryshuar qëndrimin e tij sa i përket Asociacionit.
“Para pak çastesh përfaqësuesi i mazhorancës në fillim të seancës na pyeti neve se a jeni për Zajednicën a jo. Kësaj pyetjeje iu përgjigj kryeministri, që tashmë e ka marrë drejtimin e themelimit të këtij institucioni”, deklaroi Abelard Tahiri, shef i GP të PDK-së.
“Unë e kam të qartë që ju keni qejf t’ua themeloj “Zajednicën”, por “Zajednica” nuk kalon. Sepse “Zajednicën” e keni pranuar ju më 19 prill 2013 dhe më 25 gusht 2015. Atëherë e keni bërë “Zajednicën”, por ajo nuk bëhet. Ju nuk e keni zbatuar, unë nuk ua zbatoj”, tha Kurti.
E deputetët e Aleancës patën disa rekomandime në kushtet e Kurtit, ndonëse jo fort përmbajtjesore.
“Mua kushtet e kryeministrit më pëlqyen. Sikur të mundnim njërin prej kushteve që nuk besoj se mund të realizohet, është me i ndalë gënjeshtrat do të ishte mirë”, tha deputeti i AAK-së, Bekë Berisha.
“Zoti Kurti, duke e parë që paskëshit aftësi të bëni spektakël dhe humor, ju ftoj të shkoni në ‘Big Brother’”, deklaroi deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.
Paraprakisht në këtë seancë Kurtit iu kërkua nga opozita që të distancohet nga një deklaratë e tij, dhënë javë më parë, me të cilën e kishte përkujtuar politikanin e vrarë serb, Oliver Ivanoviq.
Ndonëse Kurti nuk foli, Arjeta Fejza, deputete partisë së tij tërthorazi ia bëri të ditur kryeministrit se kush ka qenë Ivanoviqi dhe për çfarë ka qenë i dënuar në shkallë të parë nga Gjykata.
Deputetët në këtë seancë kanë dështuar sërish që të zgjedhin një anëtar të Këshillit Gjyqësor të Kosovës e bashkë me të kanë dështuar të miratojnë edhe disa raporte e projektligje.