Komisioni për Legjislacion ka miratuar raportet e komisioneve funksionale të Kuvendit për Projektligjin për Legjislacion. Deputetët kanë shprehur kritika lidhur me raportet e komisioneve për buxhet dhe integrime. Deputetët opozitarë vendosën të mos marrin pjesë në votim, pasi i konsideruan si shumë të përgjithshme e abstrakte vlerësimet e tyre
Komisioni për Legjislacion i ka kaluar raportet e komisioneve parlamentare për buxhet e integrime, duke i hapur rrugë Projektligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme për lexim të dytë në seancë plenare.
Deputetët e opozitës nuk i votuan raportet e komisioneve funksionale, e deputeti i LDK-së, Driton Selmani, vlerësoi se në to ka vlerësime jokonkrete.
“Është ndoshta prej herëve të para kur shoh vlerësime abstrakte ose kuturu të komisioneve. Në Komisionin për Buxhet thuhet se Projektligji për Byronë përmban kosto shtesë buxhetore, por të përballueshme për buxhetin e Republikës së Kosovës. Çka është ky vlerësim kështu...Te rekomandimi tjetër i Komisionit për Integrime Evropiane, thotë se Projektligji për Byronë nuk është në kundërshtim me legjislacionin e BE-së. Ky është një vlerësim shumë i përgjithshëm, a ka rregullore ose direktiva të BE-së që e rregullojnë këtë çështje”, ka thënë Selmani.
Me vërejtjet u pajtua edhe kryetari i këtij komisioni dhe deputeti i partisë në pushtet, Vetëvendosje, Adnan Rrustemi. Kolegët e komisioneve të tjera i ka akuzuar se e kanë bërë praktikë miratimin e raporteve shabllon.
“Nëse nuk është e mundur të bëhet vlerësim sa më substancial, kjo nuk do të thotë që të kemi vlerësim sipërfaqësor...Komisioni për buxhet në rastin konkret do të ishte me rëndësi me na konstatua që buxheti a është planifikuar këtë vit për këtë agjenci, për byronë. Pasi në fakt është planifikuar se buxheti është miratuar në fund të vitit të kaluar. Edhe Komisioni për integrime evropiane ka pasur mundësinë me elaborua, por po kufizohen në minimumin e vlerësimit”, ka deklaruar Rrustemi.
Kryetari i Kuvendit e ka dërguar Projektligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme në Komisionin e Venecias pas kërkesës së opozitës. Pas ndryshimeve të bëra ka marrë dritën e gjelbër të këtij komisioni dhe në fund të vitit të kaluar iu kthye Kuvendit. Ndër ndryshimet e tekstit është që bordi mbikëqyrës me përbërje: një gjyqtar i Gjykatës Supreme, Auditori i Përgjithshëm, drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, një zënvendësavokat i popullit dhe drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare e përzgjedhin drejtorin nëse zgjedhja e tij dështon në Kuvend.
Periudha e verifikimit të pasurisë për zyrtarët do të jetë deri në pesë vjet pas lënies së funksionit publik, derisa toleranca financiare që parashihet për pasurinë e pajustifikueshme është 25.000 euro.