LAJMET E MBRËMJES

Kurti dhe Vitia vizitojnë foshnjën e parë të lindur në QKUK, presidentja këtë vit jo

Klinikën e Gjinekologjisë të QKUK-së, ka lindur foshnja e parë për vitin 2023. Siç është bërë e ditur nga mjeku i Klinikës Gjinekologjike, Naser Rafuna, foshnja e parë është vajzë. Për urime në lindjen e vajzës, nëna nga Drenasi u vizitua nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Por këtë vit si rrallëherë aty nuk shkoi presidentja.

Katër minuta pas fillimit të vitit 2023, lindi foshnja e parë në Qendrën e Klinikës Universitare të Kosovës.

Foshnja nga Drenasi u pagëzua me emrin Dua Rrustemi, e cila është fëmija i 8 mijë e 809-të i lindur në Klinikën e Gjinekologjisë që nga fillimi i vitit 2022.

“Para pak minutash lindi foshnja e parë në klinikën tonë, e gjinisë femër. Pacientja është Elona Rrustemi nga Drenasi. Ka lindjen e dytë. Ka lindur një fëmijë të shëndoshë nëpër rrugë natyrore të lindjes. Gjendja e nënës dhe fëmijës është shumë e mirë”, ka thënë Naser Rafuna, mjek në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK.

Elona Rrustemi, e cila u bë nënë për herë të dytë, u vizitua nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Me buqeta me lule, Kurti dhe Vitia uruan prindërit e foshnjës.

Përpos Klinikës së Gjinekologjisë, ata vizituan edhe atë të Neonatologjisë. Kurti nga aty ka thënë se ka rënë vdekshmëria të foshnjat.

“Takuam doktoreshën dhe drejtoreshën Hajrije Ismajli e cila na njoftoi për gjendjen në ketë klinikë me ç’rast kuptuan se aty mortaliteti apo vdekshmëria e foshnjave ka rënë në tetë promila nga të themi rreth 40 promila sa ka qenë menjëherë pas luftës në Kosovë apo para dy dekadave. Kushtet e punës janë të mira, mbështetja e qeverisë nuk do të mungojë asnjëherë”.

Për punën e bërë në natë feste, Kurti e falënderoi stafin mjekësor, të cilëve u premtoi mbështetje të vazhdueshme.

“Po punojnë në një natë feste e gëzimin për të gjithë qytetarët e Republikës dhe janë të gjithë këto shërbime publike, janë gjithë këto përkujdesje profesionale e shkencore të cilët mundësojnë që shteti ynë të funksionojë që qytetarët të kenë mirëqenie dhe që festa të jetë e plotë edhe e njëmendë, andaj ne pikërisht në këtë natë shprehim falënderimin dhe mirënjohjen tonë te thellë për këta njerëz të cilët po punojnë edhe në ndërrim të moteve të cilën ua urojmë edhe një herë të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim”, ka thënë Kurti.

Kurti gjatë ndërrimit të motmoteve, ka vizituar edhe punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës.