Në konferencën për fundvit, të mbajtur të enjten, zyrtarë të këtij institucioni thanë se 645 prej mbi 1.500 rasteve të paraqitura janë hapur për hetim, ndërkohë janë hapur edhe dhjetëra raste sipas detyrës zyrtare, bazuar në raportime të mediave. Hetimi ka nisur edhe për vrasjen e Hamide Magashit në oborrin e QKUK-së
Institucioni i Avokatit të Popullit ka pranuar mbi 1500 ankesa gjatë vitit 2022.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, në konferencën për fundvit, të enjten, tha se 645 prej tyre janë hapur për hetim.
Po ashtu, janë hapur edhe disa dhjetëra raste sipas detyrës zyrtare, duke u bazuar në raportime të mediave.
“Gjithashtu kemi hapur 39 raste sipas detyrës zyrtare, në këtë rast vlen të theksohet se 16 prej këtyre rasteve sipas detyrës zyrtare janë hapur pikërisht nga informatat që kanë ardhur prej raportimeve tuaja të mediave”, u shpreh Avokat i Popullit, Qelaj.
Ai ka thënë se gjendja e të drejtave të njeriut gjatë viteve ka shënuar progres, por shtoi se kjo nuk është e mjaftueshme e as në përputhje me kërkesat dhe standardet për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Po ashtu bëri të ditur se ka nisur hetimi për vrasjen në oborrin e QKUK-së të Hamide Magashit nga bashkëshorti i saj si i dyshuar. Ajo ishte në muajin e fundit të shtatzënisë kur u vra nga bashkëshorti i saj si i dyshuar. Dy ditë më vonë bashkëshorti bëri vetëvrasje, duke mos pranuar t’i dorëzohet policisë.
“Kjo është si rezultat i masave të pamjaftueshme për zbatimin e plotë të ligjit, mungesa e zbatimit të ligjit, pastaj janë mungesa e llogaridhënies dhe papërgjegjësisë ose mospërgjegjësisë për zbatimin e ligjit, joefikasiteti i sistemit të drejtësisë”, ka thënë Qelaj.
Gjatë vitit 2022, Avokati i Popullit ka pranuar 77 ankesa nga qytetarë të komunitetit serb, 27 nga ai boshnjak, 13 nga ai ashkali, nga 10 prej atij turk e rom dhe nga 2 nga ai goran dhe egjiptian.
Në konferencë Qelaj shprehu po ashtu shqetësimin për rritjen e kostos së jetesës dhe kritikoi Qeverinë për masa të pamjaftueshme për t’i ndihmuar qytetarët ta kalojnë këtë periudhë.