LAJMET E MBRËMJES

Zyrtarizohen bashkësitë fetare, SHBA-ja kërkon të mos jetë kriter madhësia e tyre

Qeveria ka hapur dëgjimin publik për ndryshimin e Ligjit për liritë fetare në Kosovë, i cili u mundëson atyre për t’u regjistruar edhe zyrtarisht. Derisa kryeministri Kurti ka thënë se me këtë ligji promovohet pluralizmi fetar, ambasadori i SHBA-së, Hovenier, ka kërkuar që bashkësitë fetare të regjistrohen pavarësisht numrit të anëtarëve që kanë

Bashkësitë fetare do ta kenë mundësinë për t’u regjistruar zyrtarisht, duke përfituar kështu të drejta të plota dhe të barabarta. Kështu ka thënë kryeministri Albin Kurti në hapjen e diskutimit publik për plotësimin dhe ndryshimin e Projektligjit për liritë fetare në Kosovë. Megjithëse në komunikatë thuhej se diskutimi do të jetë publik, mediat nuk u lejuan ta përcjellin tërë ngjarjen. Ato u larguan pas fjalëve hyrëse të kryeministrit, kryeparlamentarit dhe ambasadorit amerikan.

Sipas Kurtit, një ndër qëllimet më të rëndësishme të Projektligjit është për të ruajtur dhe për promovuar këtë pluralizëm fetar.

“Ia vlen të theksohet se edhe para se të miratohet projektligji në fjalë, Republika e Kosovës edhe tashmë qëndron mjaft mirë për sa i përket respektimit të lirisë fetare. Siç është bërë e ditur para dy muajsh, Kosova renditet e para në rajon për sundimin e ligjit dhe e dyta në botë për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit në vitin 2022, sipas ‘World Justice Project’. Dhe, një ndër kategoritë në të cilat Kosova ka shënuar performancën më të mirë në vitin 2022, është kategoria e ‘garantimit efektiv të lirisë së mendimit dhe të fesë’”, ka thënë Kurti. “Liria fetare zë një vend të veçantë në një shoqëri të lirë dhe të hapur siç është Republika e Kosovës. Kjo për dy arsye. Së pari, në një shoqëri të tillë secili individ arrin të gëzojë lirinë e fjalës dhe të tubimit, si dhe të drejtën për të shprehur dhe për të shkëmbyer mendime të ndryshme. Dhe së dyti, një shoqëri e hapur siç është Kosova, mirëpret brenda kufijve të saj qytetarë nga çdo kënd i botës, edhe si vizitorë afatshkurtër, edhe si banorë afatgjatë”.

Sipas Kurtit, edhe ato bashkësi që janë relativisht të vogla e të reja në Kosovë do të përfitojnë të drejta të plota dhe të barabarta me ato që janë më të mëdha dhe që kanë një histori më të gjatë.

“Ndryshimet e propozuara me këtë projektligj, pra, dëshmojnë se Qeveria jonë e merr seriozisht detyrimin jo vetëm për të garantuar respektimin e plotë të lirisë fetare, por edhe për të siguruar, që kjo liri të garantohet në mënyrë të barabartë, për të gjithë qytetarët pa dallim”, ka thënë ai.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka deklaruar se ligji është me rëndësi të bëhet në mënyrë që bashkësitë fetare të mund t’i ushtrojnë të drejtat e tyre.

“Ne populli i Kosovës jemi shembulli më i mirë, por edhe dëshmitarë të historisë që kemi qenë urë lidhëse mes diversiteteve fetare dhe si popull asnjëherë nuk kemi pasur konflikte të karakterit fetar. Ky ligj është me rëndësi të bëhet pasi ajo që ka munguar deri tash për bashkësitë fetare është personaliteti i tyre juridik. Për shkak të kësaj mangësie në legjislacionin tonë ka munguar zotësia juridike e bashkësive fetare për t’i ushtruar disa të drejta të tyre fundamentale si pasjen e llogarisë bankare, të drejtën e punësimit, e themelimit të institucioneve të ndryshme, të karakterit fetar dhe fusha tjera që ato i konsiderojnë me rëndësi”, ka potencuar Konjufca.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier, që mori pjesë në diskutim ka pasur një kërkesë për të gjithë akterët e përfshirë në këtë proces.

“Ndryshimet e propozuara para 10 vjetëve kanë kërkuar 50 anëtarë si minimum për të regjistruar e jo 100 anëtarë siç është në projektligjin e tashëm. SHBA-ja rekomandon heqjen e ndonjë apo çdo reference për numrin më të vogël dhe do ta vërë në pah se ka edhe shtete të tjera evropiane që janë në vijë me SHBA-në... Do të ishte më mirë që të gjitha bashkësitë fetare të regjistrohen pa marrë parasysh madhësinë e tyre apo kohëzgjatjen e ushtrimit të besimit në Kosovë”, ka thënë ambasadori amerikan.

Ligji bazik për lirinë fetare, i cili është aktualisht në fuqi, ishte miratuar para 15 vjetësh, gati një vit e gjysmë para shpalljes së Pavarësisë dhe dy vjet para hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës.