LAJMET E MBRËMJES

Kërkohet rregullimi me ligj i sektorit farmaceutik në interes të pacientëve

Pothuajse secili ilaç që shitet në Kosovë, ka çmime të ndryshme nga një barnatore në tjetrën dhe kjo për shkak që Kosova, pas Bjellorusisë, është mes vendeve të pakta në Evropë që nuk e ka të rregulluar me ligj çmimin e barnave, është theksuar të martën në një tryezë organizuar nga Oda e Farmacistëve.

Ndonëse projektligji për Rregullimin e Çmimit të Produkteve medicinale ishte i përfshirë në Programin Legjislativ për vitin 2022 dhe Qeveria kishte në plan ta miratonte atë deri më 30 shtator, deri më tani kjo nuk është realizuar.

Kjo, sipas Odës së Farmacistëve, u përkthehet pacientëve në rreth 10 milionë euro humbje në vit, teksa ndikon edhe në dëmtimin e imazhit të shtetit. E pjesëmarrësit në tryezë, i numëruan rregullimet që duhet të bëhen me legjislacion.

“Sa u përket barnatoreve, definimi dhe rregullimi i saktë i veprimtarisë që do të përfshinte edhe recetën për barna, mungesa e zbatimit të saj. Të bëhet një kufizim i numri të barnatoreve, duhet pasur në prioritet çështjet që ndërlidhen me barnatoret. Që të bëhet një kufizim i numrit të barnatoreve dhe caktimi i personelit profesional i cili kërkohet me ligj që duhet të jetë gjatë gjithë orarit të punës e raportet e inspektoratit e tregojnë ndryshe. Te ne gjithkush mund të hapë barnatore. E në BE është që vetëm farmacisti mund ta hap”, tha Arianit Jakupi nga Oda e Farmacistëve.

I pranishëm në tryezë, zëvendësministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Arsim Berisha, dha një afat tjetër për miratimin e ligjit.

“E njëjta vlen edhe për projektligjin për rregullimin e çmimit të barnave, të cilat grupi i punës përkatës me përfaqësim nga MSH-ja dhe institucione të ndryshme shëndetësore, përfshirë edhe Odën e ka hartuar dhe tash e ka dorëzuar në kabinet. Ky projektligj që i përcakton çmimet e produkteve medicinale për shitësit me shumicë dhe pakicë në Kosovë pas përfundimit të fazës së konsultimeve publike dhe pas miratimit në Qeveri pritet të miratohet nëse jo në këtë pjesë të mbetur të vitit, sigurisht në pjesën e parë dhe në muajin e parë të vitit që vjen”, tha Berisha.

E Sejdë Tolaj, kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Produkte Medicinale, ka theksuar se sektori farmaceutik ka nevojë për kompletimin në tërësi të bazës ligjore.

“Lutja ime është që në të vërtetë t’i marrim seriozisht kohën dhe ta respektojmë afatin kohor të hartimit të legjislacionit ashtu siç ceket në planin legjislativ e jo për shembull ta kemi një ligj apo një akt nënligjor në tremujorin e parë e të përfundojë, të vijë fundi i vitit dhe të mos kemi si produkt final. Kjo pak po e karakterizon jo vetëm këtë sektor por në përgjithësi, andaj lutja ime është ta rrisim nivelin e seriozitetit si profesionistë që këto ligje t’i hartojmë brena planit legjislativ të përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Tolaj.

Të pranishmit në tryezë e ngritën edhe problematikën e shitjes së barnave pa recetë dhe pa praninë e farmacistit.

KOHA javë më parë ka raportuar për shitjen e barit për diabet të tipit 2 – “Ozempic” – për trajtim të humbjes në peshë, si dhe pa recetë të mjekut.