LAJMET E MBRËMJES

Qeveria fajëson prokurorët e gjyqtarët për mospunë e dënime të buta ndaj dhunuesve

Ky organizim përbën ngjarje në mbrojtje të viktimave të dhunës në familje dhe asaj në baza gjinore, por përfaqësues institucionalë nuk premtuan shumë.

Ministrja e Drejtësisë e pranoi se shteti ende nuk e ka gjetur mënyrën për pavarësimin ekonomik të viktimave të dhunës në mënyrë që, pas qëndrimit deri në gjashtë muaj në strehimore, të mos kthehen tek abuzuesi. Por, dha një propozim për të cilin tha se do të mundohet ta jetësojë.

“Kemi propozuar që pasuritë e paluajtshme që konfiskohen të kalojnë tek viktimat. Sipas ligjit pasuria e konfiskuar i takon shtetit dhe jo personave privatë por do të gjejmë një zgjidhje për adresimin e kësaj çështjeje”, tha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Në organizimin që u mbajt në Pejë, kryeministri Albin Kurti tha se qeveria e tij ka ndërmarrë veprime konkrete në luftën kundër dhunës ndaj grave. Por kritikoi gjyqtarët dhe prokurorët.

“Si shtet përmes prokurorisë efikase e gjyqësorit të urtë e të palëkundur në vendimmarrje duhet të dërgojmë mesazhe që dhuna persekutohet, gjykohet e dënohet në mënyrën më të fuqishme. Më duhet ta adresoj edhe mungesën e paarsyetuar të gjyqtarëve e prokurorëve sot të cilët luajnë rol kyç në luftimin e dhunës”, tha Kurti.

Me të njëjtë diskurs ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve foli edhe ministrja e Drejtësisë.

“Më vjen shumë keq që gjyqtarët e prokurorët sot nuk janë në mesin tonë. Pikërisht ata që do të duhej të ishin në krye të detyrës sidomos për luftimin e këtyre fenomeneve qoftë dhunës në baza gjinore apo dhunës në familje e asaj ndaj grave. Edhe rastet që i kemi pasur së fundmi, gjithnjë kur ka ndodhur një rast kemi parë dështimin e një hallke ndaj atyre rasteve. Shumicën e herëve ka qenë Prokuroria ajo, por edhe Gjykata me dënime të vogla”, tha ministrja Haxhiu.

Gjyqtarë e prokurorë e bojkotuan ngjarjen, konform vendimit të javës së shkuar për të mos marrë pjesë në asnjë aktivitet ku ka zyrtarë qeveritarë, shkaku i uljes së pagave.

Qendrat për punë sociale nëpër komuna janë adresat e para që vihen në mbrojtje të viktimave të dhunës. E punonjës të tyre thanë se kanë paga shumë më të ulëta se në sistemin e drejtësisë.

“Është dashur ne ta bojkotojmë këtë takim e jo gjykatat e prokurorët”.

Në panelin e diskutimit kundër dhunës ndaj grave u përmendën probleme të shumta, që nga parandalimi e deri te trajtimi i rasteve.