18 dhjetori pritet të jetë data e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave në veri.
Kjo datë është diskutuar në takimin e ftuar nga presidentja Vjosa Osmani me përfaqësues të partive politike në vend, në të cilin morën pjesë edhe përfaqësues të partive serbe në Kosovë.
Presidentja Osmani ka thënë se do të kërkojnë nga ndërkombëtarët për monitorim të këtyre zgjedhjeve.
“Nga të gjitha partitë që ishin prezentë, kërkova mendim rreth datës 18 dhjetor, sepse është data e fundit që lejohet, por në të njëjtën kohë kjo do t’i lejonte hapësirë më të madhe manovrimi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në mënyrë që të bëhen përgatitjet e nevojshme. Ne, sapo t’i përfundojmë këto deklarime, do të ulemi edhe një herë me ekipin tonë ligjor dhe pastaj do ta bëjmë publik vendimin përfundimtar”, tha Osmani.
Osmani ka thënë se do të koordinohen edhe me institucionet e sigurisë që të ndërmerren të gjithë hapat që qytetarëve t’iu mbrohet e drejta e tyre e garantuar me Kushtetutë.
Por përfaqësues të partive serbe të cilët nuk pranuan të flasin në foltore të Kuvendit, pranë flamurit të Kosovës, kanë kërkuar që të shtyhet mbajtja e këtyre zgjedhjeve pasi, sipas tyre, situata në veri është e tensionuar dhe nuk ka disponim për zgjedhje.
“Po e shfrytëzoj këtë rast që t’i lus kryeministrin dhe të gjithë të tjerët që kanë kompetenca, ta shtyjnë vendimin për gjobitjen e shoferëve që vozisin vetura KM, GL, që të shtyhet, siç edhe kërkohet për 10 muaj, në mënyrë që të kemi mundësi të diskutojmë edhe për zgjedhjet. Nëse kjo që kemi tash, nëse nuk vjen deri te një shtyrje ose mirëkuptim nga ana e kryeministrit dhe të tjerëve, unë me të vërtetë frikësohem se nuk do të mund të flasim për rezultate të zgjedhjeve”, tha Rashiq.
Kryetari i Partisë Serbe të Kosovës, Aleksandar Jablanoviq, ka thënë se do të presin sinjale nga Beogradi nëse do të marrin pjesë në zgjedhje.
“Kemi ardhur me dëshirën më të madhe për të dëgjuar se cilat janë planet e Prishtinës për organizimin e këtyre zgjedhjeve. A do të dalim në zgjedhje, kjo varet nga shumë rrethana. Për ne, si komunitet serb, varet nga disponimi në bashkësinë tonë, por edhe prej qëndrimit të Beogradit zyrtar. Duhet të përcjellim sinjalet që na dërgon Qeveria e Serbisë”, tha Jabllanoviq.
Në takim kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të PDK-së, LDK-së dhe të partive tjera, por jo edhe të AAK-së, që ka kërkuar nga Qeveria ta shtyjë vendimin për targa dhe të kthejë gjendjen në veri në normalitet.
Katër komunat e banuara me shumicë serbe - Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan - janë pa kryetarë që nga 5 nëntori.
Kryetarët e këtyre komunave që ishin nga Lista Serbe dhanë dorëheqje në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.