LAJMET E MBRËMJES

Mungesa e Muratit në Komisionin për Financa Publike nxit përplasje pushtet-opozitë

 

Mungesa e ministrit të Financave, Hekuran Murati, në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka shkaktuar përplasje në mes të deputetëve të pushtetit dhe atyre të opozitës. Këta të fundit e kanë quajtur ministrin mashtrues e të papërgjegjshëm. Kritikave të tyre u është bashkuar edhe deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani. Mungesa e Muratit ka lënë pa shqyrtuar Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Shtetit për vitin 2021

Mungesa e ministrit të Financave, Hekuran Murati, në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka lënë pa shqyrtuar Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Shtetit për vitin 2021. Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami, ka thënë se nuk kanë pasur njoftim nga kabineti i ministrit për mungesë ose shtyrje të mbledhjes dhe ka theksuar se Raporti s’mund të shqyrtohet pa praninë e tij.

“E kam diskutuar sot me stafin, në momentin kur e kam parë lajmin që ministri Murati është për vizitë në Shqipëri. Nuk kemi pasur asnjë njoftim që nuk vjen ose kërkesë për shtyrje ose diçka tjetër. Prandaj ne nuk kemi mundësi ta shqyrtojmë Raportin Vjetor të Auditimit pa prezencën e ministrit”, është shprehur Bajrami.