LAJMET E MBRËMJES

Një muaj paraburgim sulmuesit të alpinistes Nikqi

Një muaj paraburgim ia ka shqiptuar Gjykata Themelore e Pejës të dyshuarit për sulmin seksual ndaj alpinistes Mrika Nikqi, i njohur me inicialet F. B. Nikqi është sulmuar seksualisht mbrëmjen e së enjtes, derisa po ecte në një rrugë të qytetit të Pejës. Momenti i sulmit ishte kapur nga kamerat e sigurisë, video të cilën e bëri publike vetë viktima.

Ngjarja tronditëse e një sulmi seksual që ndodhi të enjten në Pejë u dokumentua nga një kamerë e sigurisë, e vendosur në një shtyllë elektrike pranë rrugës “Mbretëresha Teutë”.

Në mbrëmjen e 27 shtatorit, alpinistja Mrika Nikqi u sulmua seksualisht nga një person me inicialet F.B. për zbulimin e identitetit të të cilit, Nikqi tha se ndihmuan qytetarët bashkë me institucionet kompetente.

Sulmi ndaj alpinistes ndodhi në një hapësirë fare pranë rrugës kryesore dhe ku ka qarkullim të konsiderueshëm të njerëzve.

Në Prokurorinë e Pejës nuk dhanë hollësi rreth rastit.

Personit që po dyshohet se kreu këtë vepër penale, Gjykata Themelore në Pejë të shtunën me kërkesë të prokurorit ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Në Prokurori thanë se 25-vjeçari nuk njihet për ndonjë të kaluar kriminale.

Njoftimin për sulmin seksual, Nikqi e kishte bërë vetë publik duke ia bashkëngjitur videon në të cilën shihet ajo duke ecur rrugës, teksa i dyshuari i ishte vënë pas.

Pasi sulmuesi arrin ta kapë, viktima reziston derisa shpëton nga duart e tij, ku më pas afrohen persona të tjerë e sulmuesi largohet në qetësi.

Për sulmin, Nikqi është shprehur se do të mbesë vragë e shëmtuar në jetën e saj.