Në fjalimin që ishte paralajmëruar qysh pas dështimit të negociatave në Bruksel, të enjten, presidenti i Serbisë ka mbajtur një fjalim pas takimit me serbët e Kosovës. Ka thënë që gjatë këtij takimi, mori besimin nga serbët për zgjidhje kompromisi, për çështjen e targave dhe dokumenteve. Ka folur edhe për kërkesën 6 pikëshe të ekipit negociator të Kosovës, ndërsa ka thënë që ata kanë kërkuar nga BE-ja që të fillojë zbatimi i Marrëveshjes për Asociacionin.
Takimin e së dielës me serbët e Kosovës, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka quajtur si takim ku ai e mori mbështetjen për zgjidhje kompromisi, për çështjen e targave dhe dokumenteve.
Megjithatë, ai ka deklaruar që ende nuk e di se cili është ose duhet të jetë kompromisi në këtë rast. Në fjalimin e paralajmëruar qysh të enjten, ai ka folur për kinse përndjekjen e serbëve e ka thënë që nëse një gjë e tillë vazhdon, serbët do t’i braktisin institucionet e Kosovës.
“Ata (v.j) serbët e Kosovës, na kanë vënë vijat e kuqe, për të cilat nuk dua të flas. Kërkuan garanci që nuk do ta përjetojnë atë që e përjetoi populli serb në pjesët e tjera të Jugosllavisë dhe këtë ua sigurova. Nuk do ta lejojmë përndjekjen e popullit serb, nëse ajo nuk ndalet, gjatë muajit të ardhshëm do të ketë largim nga institucionet (v.j të Kosovës), deri në fund të shtatorit të gjithë, edhe policët edhe gjyqtarët do t’i braktisin institucionet”, ka thënë Vuçiq.
KOHA ka raportuar të premten se një prej kompromiseve që është propozuar në Bruksel e që nuk e ka pranuar pala kosovare është ai që Kosova t’i zbatojë masat e reciprocitetit, duke lëshuar letra hyrëse për qytetarët e Serbisë, por jo edhe për ata që jetojnë në Kosovë e nuk duan të kenë dokumente të Kosovës.
“Shqiptarët thonë që duan të na lëshojnë (v.j dokumentet e hyrje-daljes), si ato që ua lëshon atyre Serbia. Ne u themi se nuk ka problem. Kur Aleksandar Vuçiq të vijë në Kosovë, ia jepni ato letra, por nuk mundeni që ato t’ua jepni njerëzve që jetojnë në veri të Kosovës. Por ata nuk mërziten fort për zbatimin, e vetmja gjë që duan është ta shkatërrojnë jetën e qytetarëve që jetojnë në veri. Edhe këtë propozim e refuzuan, pasi që i vetmi synim është torturimi i popullit tonë në Kosovë dhe dëbimi i tij”, ka thënë Vuçiq.
Ka folur edhe për kërkesat e Kosovës, derisa ka thënë se Serbia ia ka kërkuar të dërguarit të posaçëm, Miroslav Lajçak, jetësimin e Asociacionit.
“Serbët tashmë kanë pësuar nga NATO-ja dhe as që u shkon ndërmend përsëritja e asaj. Dua t’ju njoftoj se është përshkallëzuar një formë e aktivitetit të inteligjencës në veri të Kosovës, se ekipi ynë ia ka kërkuar Lajçakut që ta nisë zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin. Dua t’ju njoftoj se me kohë i kemi informuar të gjithë personat që janë në lista ekzekutimi të regjimit të Prishtinës, të cilat i kanë miratuar edhe disa shërbime të caktuara të jashtme”, ka shtuar ai.
Fjalimi i Vuçiqit ishte paralajmëruar qysh pas dështimit të negociatave në Bruksel.
KOHA ka provuar ta kontaktojë Qeverinë e Kosovës për këtë çështje, gjatë ditës së diele. Ky institucion pos një komunikate për media, nuk ka dhënë detaje të bisedimeve.
Të enjten në Bruksel për disa orë u mbajt takimi i nivelit të lartë në nivel të dialogut Kosovë-Serbi, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësimin e emisarit Miroslav Lajçak. Takimi përfundoi pa ndonjë marrëveshje rreth çështjeve që prodhuan tensione në terren, reciprocitetit në targa dhe dokumente të hyrje-daljes. Por përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se nuk do të dorëzohen dhe përpjekjet do të vazhdojnë.
Përderisa situata në veri të Kosovës është e qetë dhe stabile, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ditëve të fundit ka rritur prezencën në këtë pjesë të shtetit.