LAJMET E MBRËMJES

Opozita fajëson Qeverinë për keqmenaxhim me situatën energjetike në vend

Paralajmërimi i reduktimeve të energjisë 6 orë me rrymë dhe 2 pa të, ka nxitur reagime të partive opozitare dhe shoqërisë civile. Ato kanë fajësuar Qeverinë Kurti për siç kanë thënë, paaftësi për menaxhim me krizë të energjisë.

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj, ka thënë se reduktimet në mes të gushtit është "dështim kapital i logjikës rrugë pa krye” të kryeministrit Albin Kurti.

“Përgjegjës për këtë situatë është një faktor tjetër dhe ajo është Qeveria e Kosovës, e cila me qasjen ndaj menaxhimit të KEK-ut, me qasje pa plan, pa guxim dhe pa ide se si ta menaxhojë sektorin energjetik, e ka pru punën që ta ringjallë nga harresa kolektive doktrinën e reduktimit të energjisë elektrike”, tha Nikaj.

Reagim ndaj kësaj situate pati edhe nga deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ka akuzuar për papërgjegjshmëri në qeverisje të vendit.

“Është e papërgjegjshme të udhëhiqet vendi në këtë mënyrë. Nuk u kemi borxh të na kthejnë me dekada prapa. Fatkeqësisht, me reduktimet e energjisë po kthehet situata e viteve të para pas luftës çlirimtare 1998-1999. Ndërkaq, për ta mbuluar këtë keqmenaxhim po e hapin temën e shamive në shkolla, duke kthyer debatin e viteve të para pas Luftës së Dytë Botërore”, tha Hoti.

Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se paralajmërimi për reduktime të rrymës është matje e pulsit për atë që do të ndodhë në dimër.

“Paralajmërimi i reduktimeve në pikë të verës, është asgjë më shumë se paralajmërim i një fushate psikologjike të Qeverisë Kurti. Është thirrje që të bëhemi gati për një dimër të gjatë. Është test i durimit, është test i manovrimit, është test i mashtrimit. Po na matet pulsi, që nëse durojmë 2 orë verës, do të mund të duronim edhe 12 orë dimrit. Kësaj duhet thënë stop tani, ndryshe do të jetë vonë!” – tha Tahiri.

Nga INDEP-i kanë thënë se fajin për mosfurnizim të rregullt me energji e bart kryesisht kryeministri Albin Kurti.

Reagim pati edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ). Thanë se Qeveria e Kosovës urgjentisht duhet ta ndërpresë pagesën e rrymës për komunat e veriut dhe t’i trajtojë konsumatorët në përputhje me ligjet në fuqi.

“Rritja e rrymës, në mënyrë zinxhirore do të rrisë çmimet e artikujve tjerë dhe të shërbimeve andaj KMDLNJ-ja kundërshton kërkesën e KESCO-s sikur edhe reduktimet që tashmë kanë filluar, duke kërkuar nga qeveria që të mbrojë interesin e qytetarëve duke pamundësuar ngritjen e çmimit të energjisë elektrike”, thuhet nga KMDLNJ.

Kufizimet e rrymës ishin kërkuar nga KOSTT-i, shkaku i devijimeve që janë shkaktuar në rrjet, pasi konsumi muajve të fundit ishte më i lartë sesa që ishte siguruar energji nga operatorët në treg. Devijimet kanë ndodhur edhe shkaku i veriut.