LAJMET E MBRËMJES

Mbi 100 seminaristë pjesëmarrës në edicionin e 40-të të Seminarit të Gjuhës Shqipe

Në edicionin e 40-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, do të jenë mbi 100 pjesëmarrës nga e gjithë bota. Do të fillojë të hënën dhe do të zgjasë deri më 26 gusht. Drejtori i këtij seminari, Shkumbin Munishi, tha se në këtë edicion do të ketë shumë pjesëmarrës.

Gjithçka është gati për fillimin e edicionit të 40-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Ky edicion pritet të fillojë të hënën dhe do të zgjasë deri më 26 gusht.

Aty do të marrin pjesë mbi 100 seminaristë, por kësaj here do të mungojnë ata nga Rusia, shkaku i luftës në Ukrainë.

“Pjesëmarrja në këtë edicion të seminarit është shumë e madhe. Do të kemi seminaristë që do të vijnë nga vende të ndryshme të botës, nga qendrat albanologjike që janë në Poloni, Bullgari. Pastaj do të vijnë mysafirë nga Turqia, Holanda, nga Gjermania sivjet do të kemi një numër të konsiderueshëm, Italia, Serbia, Maqedonia”, ka thënë drejtori i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Shkumbin Munishi.

Munishi ka theksuar se do të mbahen ligjërata nga albanologë të huaj e shqiptarë.

“Këtë vit do ta kemi mysafire albanologen e nderuar Irena Sawicka, Artur Karashinskin, Ekaterina Tompomanovan, Eda Derhemin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bardhyl Demiraj dhe natyrisht do të kemi ligjërata nga albanologë të shquar vendës të Kujtim Shalës, Kujtim Rrahmanit, Rrahman Paçarizit. Këtë vit kemi një numër të konsiderueshëm të ligjëratave”, ka thënë Munishi.

Ky seminar është themeluar në vitin 1974 dhe organizohet për studiues e studentë që merren me probleme të gjuhës të letërsisë e të kulturës shqiptare, por edhe me albanologjinë.