LAJMET E MBRËMJES

Rihapet rasti për të akuzuarën për vrasjen e motrës në Fushë-Kosovë

Në vend të shpalljes së aktgjykimit dënues, trupi gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vendosur ta hapë edhe njëherë rastin e vrasjes në Fushë-Kosovë.

Për këtë vrasje të ndodhur vitin e kaluar, po akuzohet F.S, për vrasjen e motrës së saj.

Rasti u kthye edhe njëherë në shqyrtim për shkak të provave të reja.

“Rihap shqyrtimin gjyqësor për plotësimin e procedurës penale, me qëllim të administrimit të provave, konkretisht dokumenteve mjekësore të paraqitura nga ana e mbrojtësit Halit Shaljani, me datë 30.06.2022, për shëndetin e të pandehurës.....siç janë udhëzimi për konsultime, raporti nga konsulta mjekësore edhe receta për barna”, tha Kushtrim Shyti, kryetar i Trupit Gjykues.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, si provë do të administrohet edhe një dorëshkrim i së ndjerës, T.S.

Vendim të drejtë e ka quajtur avokati mbrojtës, i të akuzuarës F. S, i cili deklaroi se presin që trupi gjykues të marrë vendim të drejtë për të.

“Kemi besim të plotë në gjykatën dhe trupin gjykues, i cili po e udhëheq këtë rast, ky vendim ishte i mirëpritur dhe të them të drejtën ishte vendimi të cilin edhe ne prisnim, për rihapjen e shqyrtimit të disa provave”, tha Halit Shaljani, avokat mbrojtës i të akuzuarës.

E akuzuara gjatë seancave të kaluara kishte thënë se nuk i kujtohet ngjarja, porse motra e saj tani e ndjerë, e kishte detyruar të pinte barna dhe se ditën kritike ishte nën ndikimin e ilaçeve.

Në këtë seancë nuk ishte e pranishme e akuzuara e as familjarë të saj.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, F.S në maj të vitit 2021, e ka privuar nga jeta motrën e saj, derisa ishte e shtrirë në krevat, fillimisht duke e shtrënguar në qafe e në fyt e më pastaj e ka lidhur me shami në fyt me ç’rast nga ngufatja ka ndërruar jetë.

F.S po akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Në deklarimet e familjarëve të së akuzuarës e së ndjerës, është thënë se këto të dyja kanë pasur probleme mendore, qëkur kanë pësuar një aksident. Aty tregohet se ato disa herë kanë tentuar ta vrisnin veten.

Trajtimi i personave me probleme mendore vazhdimisht ka qenë sfidë e institucioneve për shkak të mungesës së kapaciteteve.