LAJMET E MBRËMJES

Borrelli konfirmon ftesën për Vuçiqin e Kurtin për dialog mbi rrugën përpara

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka konfirmuar ftesën adresuar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për një takim në Bruksel më 18 gusht.

Derisa në njoftimin e tij në Twitter është specifikuar se ftesa është adresuar për diskutimin e ecurisë së dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, aty Borrelli nuk ka dhënë hollësi mbi temat që do të shtrohen në tryezën e bisedimeve. E në këtë takim, i pranishëm do të jetë edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Miroslav Lajçak.

“Po i ftoj presidentin e Serbisë, Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Kurti, në Bruksel më 18 gusht, për të diskutuar mbi rrugën përpara ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, ka shkruar Borrell.

Mbi temën që do të mund të diskutohet më 18 gusht, sinjale ka dhënë të premten i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Derisa ka ngritur mundësinë e diskutimit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, emisari Gabriel, gjatë një komunikimi virtual me gazetarë, ka theksuar se ky Asociacion nuk duhet të jetë “shtet brenda një shteti” dhe se duhet të jetë në një linjë me ligjet dhe me Kushtetutën e Kosovës.

Në reagim ndaj deklaratës, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka vlerësuar të shtunën se po qe Asociacioni do të kushtëzohet në përputhje me ligjet e Kosovës, atëherë dialogu do të jetë krejtësisht i pakuptimtë.

Por është shprehur e bindur që Asociacioni nuk do të trajtohet në takimin e ardhshëm në Bruksel.

“Nëse e vendosni atë në përputhje me ligjet e tyre, e bën të kotë të gjithë dialogun, po qe se ata vetë nuk i respektojnë dhe Prishtina nuk e respekton Kushtetutën e saj. Nëse e respekton, nuk do të kishte ushtri të Kosovës, sepse në atë Kushtetutë thuhet që duhet pyetur serbët, por ata nuk janë pyetur”, tha Bërnabiq.

Nga Qeveria nuk janë dhënë informacione nëse në agjendën e takimit të 18 gushtit do të jetë çështja e Asociacionit.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, në një intervistë për transmetuesin publik, ka vlerësuar se në Bruksel asnjëherë nuk është diskutuar mbi Asociacionin dhe se kjo temë më shumë diskutohet në media.

Ndërkaq, Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka kritikuar palën kosovare gjatë një takimi me zëvendëskryetarin e Departamentit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Jergens Frederik, se nuk është e interesuar për dialog, por vetëm për konflikte.

E për Asociacionin ka thënë se fakti që Kosova nuk do që ta themelojë, tregon se nuk është e interesuar për të drejtat e serbëve.

Kërkesën për themelimin sa më të shpejt të tij ia kishte përsëritur Kosovës përfaqësuesi evropian, Borrell, dy ditë më parë.