LAJMET E MBRËMJES

Këshilli i Etikës dënon dekanin dhe katër profesorë të Fakultetit të Edukimit Fizik

Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës ka konstatuar se dekani dhe katër profesorë të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit kanë bërë plagjiaturë.

Për cenim të të drejtave autoriale, dekani Musa Selimi, profesorët Bylbyl Sokoli, Ajvaz Berisha, Hazir Salihu dhe Afrim Koca janë dënuar nga ky Këshill me mosmentorim të diplomave për një periudhë prej dy deri në tri vjet.

Dënimin e kanë quajtur qesharak në Organizatën për Rritjen e Cilësisë, ORCA, e cila pati denoncuar profesorët në Këshill.

Dibran Hoxha ka thënë se dënimet përbëjnë lehtësim për punën e tyre, e jo ndëshkim, meqë profesorët janë liruar nga disa prej obligimeve të tyre, e pagat u kanë mbetur të njëjta.

“Kërkesa jonë është që në varësi të rasteve, që plagjiatorët ose të përjashtohen dhe t’u merren titujt aktualë kur ata e kanë mashtruar universitetin, ose të merren masa si moslejim i avancimeve, kur ata nuk kanë arritur që mashtrimin ta çojnë deri në fund”, tha Hoxha.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se për dënimet ndaj profesorëve është marrë parasysh, si rrethanë lehtësuese, distancimi nga punimet shkencore, te të cilat është evidentuar plagjiatura.

“Deklaratat e tyre konsistojnë në pretendimin se materialet e referuara janë edhe si pasojë e punës specifike shkencore në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sportit dhe se këto specifika do të duhej që t’i ketë parasysh edhe Këshilli i Etikës. Të denoncuarit kanë shprehur keqardhje të madhe për situatën e krijuar dhe se për këtë kanë marrë të gjitha masat, që shkrimet e referuara janë larguar me vetë dëshirë nga korpusi i tyre akademik, dhe si të tilla nuk janë përdorur për avancim të mëtejmë akademik”, thuhet nga Këshilli i Etikës.

E, përfaqësues të organizatës, ORCA, kanë kërkuar veting në arsimin e lartë.

“Ky vend rrezikohet seriozisht nga rehabilitimi i korrupsionit, konkretisht hajnisë, që do të na çojë në një krizë të thellë morale si shoqëri, ndërkohë që cilësia në arsim do të bjerë edhe më poshtë, po, edhe më poshtë seç jemi, do të thotë së shpejti nga 76% e analfabetëve siç tregojnë rezultatet e PISA-s, do të mund të thyejmë rekorde duke u bërë populli i vetëm në botë me 100% analfabetizëm funksional”, tha Hoxha.

Në ORCA kanë bërë të ditur se janë duke përgatitur denoncim për plagjiaturë edhe ndaj profesorit Selim Bezeraj, i cili së fundi është zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së.

Këtë vit, Këshilli i Etikës ka dënuar për plagjiaturë edhe dy profesorë të UP-së. Bujar Dugolli është dënuar me mosmentorim të temave të diplomës në nivel master dhe doktoratë në dy vitet e ardhshme, ndërsa Ardian Kastratit i është ndaluar mentorimi në të gjitha nivelet e studimit, për tri vjet.