“U bëjmë thirrje vendeve anëtare që të kenë besim në Republikën e Kosovës, si një prej partnerëve më të devotshëm në përqafimin e vlerave dhe standardeve që burojnë nga BE-ja, ku një nga shtyllat është edhe liria e lëvizjes. Kuvendi fton Këshillin Evropian të marrë vendim meritor për marrëveshjen për lëvizjen e lirë në zonën Schengen për qytetarët e Kosovës”, ka thënë deputeti Besnik Tahiri, tek ka lexuar rezolutën e miratuar nga ligjvënës të pushtetit dhe opozitës
Me një rezolutë të miratuar të mërkurën, deputetët janë pajtuar për ta institucionalizuar edhe më shumë angazhimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Kjo rezolutë, që gjeti përkrahjen e ligjvënësve të partive në pushtet dhe të atyre në opozitë, është prezantuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila për çështjen e vizave paraprakisht kishte thirrur debat parlamentar.
Rezoluta e AAK-së ka përfshirë zotimin e deputetëve për të shtyrë përpara të gjitha reformat që garantojnë shtet të së drejtës, si nisma kundër korrupsionit, mbikëqyrje të zbatimit të ligjeve, krijimin e garancisë për institucionet e pavarura, e çështje të tjera që garantojnë mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.
Besnik Tahiri, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, ka thënë se me këtë rezolutë i kërkohet Qeverisë që të punojë në avancimin e platformës shtetërore kundrejt zhvillimeve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, qoftë edhe refuzimit eventual të liberalizimit të vizave.
Në përmbajtjen e rezolutës ndodhet edhe një kërkesë për Këshillin Evropian.
“U bëjmë thirrje vendeve anëtare që të kenë besim në Republikën e Kosovës, si një prej partnerëve më të devotshëm në përqafimin e vlerave dhe standardeve që burojnë nga BE-ja, ku një nga shtyllat është edhe liria e lëvizjes. Kuvendi fton Këshillin Evropian të marrë vendim meritor për marrëveshjen për lëvizjen e lirë në zonën Schengen për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Tahiri, gjatë leximit të rezolutës.
Çështja e vizave ka nxitur polemika të shumta mes deputetëve të të dyja kampeve.
Ligjvënësit opozitarë kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) se e ka vonuar heqjen e vizave për Kosovën, duke kundërshtuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, e cila, siç kanë thanë ata, ishte kushti i fundit i BE-së për liberalizim të vizave për Kosovën.
Deputetja e Lidhjes Demokratike (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se pushteti duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e qëndrimet që kishte mbajtur në Kuvend, në kohën kur tentohej të miratohej ajo marrëveshje.
“Kosova e ka pasur mundësinë ta plotësojë vetëm edhe një kusht, që ka qenë ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin. Të gjithë deputetët që në atë kohë kanë hedhur gaz lotsjellës dhe e kanë penguar liberalizimin, nuk është keq të dalin dhe t’u kërkojnë qytetarëve falje dhe të mos hedhin akuza të pabaza”, ka thënë deputetja Bajrami.
Krahas LVV-së në pushtet, kundër demarkacionit me Malin e Zi ishte edhe AAK-ja, që tash e ka sponsorizuar rezolutën.
E për LVV-në, liberalizimi i vizave mund të jetë shumë afër për shkak të, siç kanë thënë deputetët e kësaj partie, angazhimit e luftës kundër korrupsionit.
“Kurrë Kosova nuk ka qenë më afër heqjes së vizave se sa që jemi sot. Kurrë nuk është punuar më shumë. Asnjëherë tjetër nuk janë shënuar kaq rezultate pozitive për vite të tëra, sa janë shënuar përgjatë kësaj qeverisjeje një vit e pak muaj”, ka thënë deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu.
Por, atë e ka kundërshtuar deputetja Bajrami, duke thënë se, sa i përket luftës kundër korrupsionit, sipas raportit të Transparency International, Kosova në vitin 2021 e ka mbajtur vendin e njëjtë siç e ka pasur në vitin 2017.
E, Enver Hoxhaj, ish-ministër i Jashtëm e tash deputet i Partisë Demokratike, ka dhënë një tjetër propozim, për të cilin u pajtuan që të marrë formë në sesionin vjeshtor të Kuvendit.
“Propozimi im është që Komisioni për Integrime Evropiane të prodhojë një kronologji të mirë të ngjarjeve se çfarë ka ndodhur deri më tani në raport me liberalizimin e vizave. Të votohet ajo kronologji, ajo rezolutë dhe, në emër të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, t’u shkojë parlamenteve të shteteve evropiane. Sepse, siç e dimë, janë institucionet e BE-së të cilat janë në favor edhe Parlamenti dhe Komisioni, por janë disa shtete të cilat kanë hezitim serioz në raport me këtë temë”, ka thënë Hoxhaj.
Përveç kësaj rezolute, Kuvendi nuk ka arritur të përfundojë asnjë pikë tjetër të rendit të ditës. Shkak ishte mungesa e kuorumit në vendimmarrje, meqë një pjesë e konsiderueshme e opozitës nuk ka marrë pjesë në votim.
Në mungesë kuorumi, ka dështuar të miratohet propozim-rezoluta e pushtetit për adresimin e rritjes së çmimeve. Gjithashtu, kanë dështuar të miratohen disa raporte vjetore të ndërmarrjeve e agjencive, si dhe disa projektligje e vendime të Qeverisë.
Kjo seancë, që është e parafundit për këtë sesion, është shtyrë për të enjten, për kur është e caktuar edhe një seancë e re plenare.