LAJMET E MBRËMJES

Kurti për reciprocitetin: S’ka kurrfarë mundësie për destabilizim

Ngjashëm me atë që shtetasit e Kosovës pajisen me të hyrë në Serbi, nga mesnata do të pajisjen edhe shtetasit e Serbisë me leje të përkohshme për qarkullim nga autoritetet kosovare.

Me vendim të ekzekutivit, qytetarëve të Serbisë nuk do t’u njihen dokumentet e identifikimit kur të hyjnë në kufi.

Në lidhje me vendimin e Qeverisë të Kosovës, qytetarët e Serbisë u shprehën të pakënaqur këtu në kufirin në Merdar. Ndërsa një nga ta ka thënë prapa kamerës se nuk e sheh vendimin si diçka problematike.

Ndryshe nga qytetarët e shtetit fqinj, u shprehën ata të Kosovës. Qytetarët kosovarë vlerësojnë se reciprociteti për dokumentet identifikuese është dashur të vendoset më herët.

“Ashtu duhet se ndryshe nuk bën, duhet me i mbrojtë të drejtat tona”, tha qytetari Bujar Haziri.

“Reciprociteti është dashur të vendoset moti, shumë mirë që e kanë bërë dhe shpresoj që kështu do të vazhdojnë”, tha qytetari Besim Hasanaj.

Përveç vendimit për reciprocitet në dokumentet identifikuese, të hënën më 1 gusht do të hyjë në fuqi edhe vendimi për afatin prej dy muajsh për ndërrimin e targave ilegale të veturave në ato RKS.

Ndaj vendimeve të Qeverisë pati paralajmërime për cenim të sigurisë, e kjo bëri që të dielën të mblidhet Këshilli i Sigurisë. Aty u tha se institucionet kanë përgatitur të gjitha procedurat teknike dhe administrative për zbatimin e vendimeve.

“Institucionet tona kanë zhvilluar tashmë të gjitha procedurat teknike dhe administrative për zbatimin e këtyre vendimeve, dhe në këtë drejtim i sigurojmë qytetarët tanë që mundësimi i zëvendësimit të targave ilegale, sikurse edhe kalimi i qytetarëve në pikëkalimet kufitare do të procedohen në mënyrë të shpejtë, pa pengesa dhe në kohë të shpejtë reale”.

Por kryeministri Albin Kurti, ka thënë se nuk ka kurrfarë mundësie për destabilizim.

“Ne do t’ua shtojmë një fletëdeklarim sepse ka 11 vjet që Serbia vepron njësoj me çdo qytetar të Kosovës kur e kalon kufirin dhe shkon në Serbi. Nuk ka kurrfarë vendi për tension, s’ka kurrfarë mundësie për destabilizim. Sepse po bëhet diçka legjitime, legale. Ata që flasin për dhunë, për bllokime, për destabilizim e për tensione flasin për vete jo për ne”, tha Kurti.

Vendimi për pajisjen e qytetarëve të Serbisë me një dokument të përkohshëm për qarkullim dhe ai për ndërrimin e targave ilegale në ato RKS, janë miratuar më 29 qershor nga Qeveria e Kosovës.