Rëndësinë e shpërndarjes së kurbaneve tek ata që kanë nevojë e të haxhillëkut, por edhe mesazhet e solidaritetit e të bashkëpunimit midis pjesëtarëve të grupeve të ndryshme shoqërore, i ka theksuar kreu i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, pas faljes së namazit të Kurban Bajramit.
“Kujton sakrificën, solidaritetin, humanitetin e ndihmën për ata që kanë nevojë. Njeriu e ka mundësinë që të gjykojë drejt e ta shtrojë para vetes rrugën e miqësisë e të vëllazërisë, në mes të popujve e shteteve të ndryshme, pavarësisht pozitës, racës, gjuhës, potencialit që e zotëron ai popull apo të mirat dhe pasuritë që i posedon toka dhe nëntoka ku ai jeton”, ka lexuar Tërnava në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve në Xhaminë e Madhe, në kryeqytet.
Mesazhe të ndryshme zgjodhën liderët institucionalë e politikë.
Në emër të Qeverisë në pritjen e BIK-ut ishte zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi e ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi. Ministri Latifi i ka kërkuar myftiut të punojë më shumë në vetëdijesim të besimtarëve për vaksinim dhe për kujdes nga COVID-19, për shkak se numrat janë rritur gjatë javëve të fundit.
Mesazh shumë më të ndryshëm sesa qeveritarët ka dhënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili e ka veçuar rëndësinë e Kurban Bajramit në aspektin e besimit fetar.
“Kjo festë është shumë e rëndësishme sepse na e kujton lidhjen dhe ngritjen shpirtërore të njeriut, lidhjen e njeriut me krijuesin, me zotin tonë, e po ashtu edhe sakrificën e nevojshme në mënyrë që të arrihet besimi i sinqertë dhe besimi i vërtetë”, është shprehur Konjufca.
Vizita bënë edhe liderët e partive opozitare, ku kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kujtuar sakrificën e luftës për lirinë e Kosovës dhe liderët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë për krime lufte.
“Në këtë ditë pa dyshim që mendojmë për ata që kanë nevojë për t’iu gjetur pranë, mendojmë për njerëzit e mirë të vendi tonë, të cilët nuk i kanë të afërmit e tyre afër vetes. I urojmë në mënyrë të veçantë familjet e dëshmorëve, familjet e martirëve, por edhe familjet e Kosovës të cilët nuk i kanë të afërmit e tyre. Në këtë ditë pa dyshim që mendjen e kemi tek udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po mbahen në Gjykatën Speciale, për të cilët shfrytëzojmë rastin t’ua urojmë këtë festë nga larg, duke shpresuar që së shpejti do t’i kemi në mesin tonë”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa, në emër të kryesisë së LDK-së, kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, ka uruar mirëqenie më të madhe për qytetarët.
“Ishim për të uruar myftiun, bashkëpunëtorët, strukturat e Bashkësisë Islame për festën e Kurban Bajramit dhe shfrytëzojmë rastin që të gjithë qytetarëve të besimit islam t’ua uroj këtë festë me dëshirën dhe vullnetin për mirëqenie më të mirë të qytetarëve tanë”, ka thënë Ahmeti.
Festën e Kurban Bajramit besimtarëve myslimanë ua ka uruar edhe presidentja Vjosa Osmani nëpërmjet një postimi në Facebook, ku ka thënë se festa duhet të shërbejë si moment reflektimi.
“Le të shërbejë Kurban Bajrami si moment reflektimi për tolerancë, mirëkuptim e solidaritet. Festa e Kurban Bajramit sjelltë në familjet tuaja paqe, lumturi e begati”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Nëpërmjet rrjeteve sociale ka uruar edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka kujtuar mesazhet që përçon kjo festë.
“Sakrificë, solidaritet e harmoni. Me mesazhet që përçon kjo festë, uroj Bashkësinë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava dhe të gjithë shqiptarët myslimanë, kudo që jetojnë ata”, ka shkruar ai.
Në pritjen tradicionale të myftiut Tërnava për të uruar kanë qenë edhe ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar, dhe shefja e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK-ut), Caroline Ziadeh.
Tërnava: Punimet e vrazhda për Xhaminë e Madhe në Prishtinë përfundojnë brenda 400 ditësh
Në pritjen tradicionale të urimeve të Kurban Bajramit për politikanë e misione të huaja, myftiun e pyetën për Xhaminë E Madhe të re të kryeqytetit, që është në ndërtim e sipër, në lagjen “Dardania” afër objektit të Telekomit. Tërnava i tha ambasadorit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Michael Davenport, se ndërtimet e vrazhda të Xhamisë së Madhe do të përfundojnë brenda 400 ditësh. Përfaqësuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, myftiu Naim Tërnava u ka shprehur mirënjohje për përshpejtim të dhënies së lejeve për këtë xhami. Komuna e Prishtinës më 13 qershor 2022 i ka dhënë leje ndërtimit të saj. Tërnava, që drejton Bashkësinë Islame që nga viti 2003, më 2012 ia kishte vënë gurthemelin Xhamisë së Madhe të re bashkë me liderët e atëhershëm, kryeministrin Hashim Thaçi dhe presidenten Atifete Jahjaga. Për ta ndërtuar atë, Tërnava pati deklaruar se janë mbledhur rreth 40 milionë euro nga xhamitë e Turqisë.