“Duhet të kemi parasysh që Moska e ka mundësinë që të bëjë destabilizim të rajonit. Ata mund të krijojnë shqetësime, mund ta destabilizojnë rajonin, dhe kjo gjë na rreh neve zilet e alarmit. Mendojmë që sulmi i Rusisë në Ukrainë është vërtet një thirrje për ta zgjuar BE-në për të trajtuar synimin e anëtarësimit në BE, dhe kjo gjë nuk ka qenë asnjëherë e rëndësishme si tani”, ka thënë kryediplomati austriak, Alexander Schallenberg, gjatë vizitës në Kosovë
Ministri Federal për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare i Austrisë, Alexander Schallenberg, ka premtuar të martën se shteti që përfaqëson do ta mbështesë Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë e në heqjen e vizave. Gjatë vizitës në Kosovë, Schallenberg ka thënë se situata e krijuar pas luftës së Rusisë në Ukrainë duhet ta zgjojë Bashkimin Evropian (BE) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme për shtetet që synojnë anëtarësimin.
Ministri austriak fillimisht është pritur nga presidentja Vjosa Osmani, e cila ka kërkuar mbështetjen e tij për Këshillin e Evropës, për anëtarësimin në të cilin Kosova ka aplikuar më 12 maj.
“Kënaqësi ta mirëpres në Kosovë ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, me të cilin diskutuam për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe fuqizimin e perspektivës euroatlantike për vendin tonë. Austria ka ecur me Kosovën në çdo periudhë historike, ndaj jemi të palëkundur në përkushtimin për ta forcuar partneritetin tonë”, ka shkruar Osmani në Facebook pas takimit.
Për disa minuta, para hyrjes së objektit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, kryediplomatja kosovare e ka lënë të presë ministrin Schallenberg. Arsyeja e vonesës së ministres Donika Gërvalla në pritje të mysafirit nuk është bërë e ditur. E pas takimit, derisa ministri austriak ka thënë se bisedimet me Serbinë duhet të përmbyllen me njohje reciproke, shefja e diplomacisë kosovare është ankuar për zvarritje të procesit.
Ministri Schallenberg ka thënë se ekziston rreziku nga Rusia për destabilizim të rajonit.
“Duhet të kemi parasysh që Moska e ka mundësinë që të bëjë destabilizim të rajonit. Ata mund të krijojnë shqetësime, mund ta destabilizojnë rajonin, dhe kjo gjë na rreh neve zilet e alarmit. Mendojmë që sulmi i Rusisë në Ukrainë është vërtet një thirrje për ta zgjuar BE-në për të trajtuar synimin e anëtarësimit në BE, dhe kjo gjë nuk ka qenë asnjëherë e rëndësishme si tani”, ka thënë Schallenberg, dhe ka theksuar se BE-ja duhet t’i hapë negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë.
Dialogun Kosovë-Serbi, ministri austriak e ka konsideruar “të nevojshëm”.
“Këtu ka elemente të ndryshme, qofshin ato sa i përket fushës së energjisë, hapa konkretë për fushat e tjera, mirëpo është e natyrshme që në fund duhet të kemi normalizimin e plotë dhe njohjen që nuk vihet në dyshim fare”, ka thënë ai.
E, shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla, ka thënë se procesi i bisedimeve do të përmbyllej shumë shpejt, në rast se nuk do të bllokohej nga Serbia.
“Duke vënë në pah edhe propozimet tona shumë konkrete, unë nënvizova gatishmërinë dhe seriozitetin tonë në këtë proces, i cili do të mund të përfundonte shumë shpejt, nëse Serbia do të hiqte dorë nga pozicioni i saj për bllokimin e procesit”, ka thënë ministrja e Jashtme e Kosovës.
Sipas Gërvallës, roli i Austrisë në mbështetjen e Kosovës në të gjitha proceset është i rëndësishëm. Ajo ka përmendur Procesin e Berlinit e anëtarësimin në Këshillin e Evropës, ku Austria do të mund të ofronte kontribut.
“Jo vetëm në BE, por edhe në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë Austria është një shtyllë e rëndësishme për përfaqësimin e interesave të rajonit tonë, e në këtë rast edhe të Republikës së Kosovës”, ka thënë Gërvalla.
Ministri i Austrisë, të martën është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti. Edhe me të ka biseduar për dialogun.
“Duke biseduar për rrethanat e reja gjeopolitike, Kryeministri Kurti tha se mirëpret vëmendje të shtuar nga Bashkimi Evropian në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai ritheksoi synimet e Qeverisë për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s, për çka edhe tha se shpreson në mbështetjen dhe lidershipin e Austrisë, për të ecur përpara në këto procese. Ministri Schallenberg ritheksoi mbështetjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropë”, shkruhet në njoftimin pas takimit.
Paraprakisht, Schallenbergu ka qëndruar për vizitë edhe në Serbi.