LAJMET E MBRËMJES

Mospagesa e 1.200 mjekëve, shkak që ministri Latifi do të raportojë në Kuvend

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, është ftuar që të raportojë në mbledhjen e ardhshme të Komisionit parlamentar për Shëndetësi, për të sqaruar një varg çështjesh, siç janë: mospagesa e mbi 1 mijë 200 profesionistëve shëndetësorë të angazhuar nga MSh-ja për menaxhimin e pandemisë, por edhe për të treguar mbi përgatitjet e institucioneve për ballafaqimin me linë e majmunëve

Mosekzekutimi i pagave për tre muaj i mbi 1 mijë e 200 profesionistëve shëndetësorë të angazhuar për menaxhimin e pandemisë, e edhe përgatitja e institucioneve për ballafaqimin me linë e majmunit, janë dy nga çështjet që të martën janë ngritur në Komisionin parlamentar për Shëndetësi.

Nënkryetari i Komisionit, Armend Zemaj, teksa i ka shprehur pakënaqësitë e stafit shëndetësorë mbështetës gjatë pandemisë, ka kërkuar praninë dhe raportimin e ministrit Rifat Latifi në mbledhjen e radhës të Komisionit.

“Edhe në takimet tona fizike e kanë deklaruar që kanë shprehur pakënaqësi dhe kanë shkruar email adresat zyrtare të krerëve, që nënkupton edhe te ju si kryetar e Komisionit. Në kuadër të kësaj po propozoj që në takimin e radhës kurdo që mbahet ta ftojmë ministrin e Shëndetësisë. Ka kohë që nuk është paraqitur para Komisionit. Mos të them shumë kohë. Po ashtu, mos të them as në seanca plenare dhe po mendoj se është mundësia e vetme që përmes Komisionit ta ftojmë këtu dhe të shohim për mbarëvajtjen në sektorin e shëndetësisë”, ka thënë Zemaj, ish-ministër i Shëndetësisë dhe deputet i Lidhjes Demokratike (LDK) në opozitë.

E deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet, Mirsad Shkreta, fajin për mospagesën e stafit mjekësor e hodhi te Bordi i SHSKUK-së.

“Politikat shëndetësore i bën Bordi, i cili fatkeqësisht është marrë vetëm me çështje që nuk i takojnë. Nuk është marrë me çështje që duhet marrë, si e kanë. A kanë pasë? Nuk kanë pasë plan dhe ne këtë ia kemi drejtuar ministrit, prandaj kërkoj një takim urgjent me ministrin sapo të vijë që t’i adresojmë këto çështje”, është shprehur Shkreta.

Ndërkaq, për dështimin e ekzekutimit të pagave, infermierët dhe stafi mbështetës kanë paralajmëruar protestë për ditën e mërkurë.

Deputeti i LVV-së, Haxhi Avdyli, ka kërkuar gjatë mbledhjes së Komisionit që, përveç ministrit Latifi, të ftohen në raportim edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, si dhe drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.

“Ndoshta duhet të jetë edhe Valbon Krasniqi si drejtor i QKUK-së për të na raportuar për gjendjen në institucionet shëndetësore dhe konkretisht për një problem akut i cili është aktual dhe është problem i kardiologjisë invazive dhe kardiologjisë joinvazive, kardiokirurgjisë, ndërrimin e statutit të SHSKUK-së dhe problemet që kanë lindur aty dhe sa për informimin tuaj ju e dini që janë diku 14 kardiologë invazivë në grevë dhe nuk është duke punuar kardiologjia”, ka thënë Avdyli.

Gjatë kësaj mbledhjeje të komisionit, deputeti dhe infektologu nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, ka kërkuar përgatitje të institucioneve për diagnostikimin e sëmundjes së lisë së majmunëve.

“Pa marr parasysh që incidenca e lisë së majmunëve është e ulët në të gjithë botën, është një incidencë rapide në rritje. Pra, do të thotë dje kanë qenë 80 raste të konfirmuara, sot në mëngjes janë 200. Pra është rritje mbi qind për qind. Nuk dua të ngre panik, por dua të bëjë një alarm në atë mënyrë që të përgatitemi për diagnostikim. PCR kemi, por mostra nuk kemi për me testu dhe me konfirmu”, ka thënë Dreshaj.

IKSHPK-ja e MSh-ja, të martën kanë ndarë 9 pika që përmbajnë informacione për linë e majmunëve, në të cilat thuhet se ky lloj infeksioni transmetohet nëpërmjet kontaktit të ngushtë ose kafshëve të infektuara dhe se simptomat janë ethet, skuqja dhe ënjtja e nyjave limfatike. Deri tash më shumë se 200 raste janë konfirmuar në Evropë, SHBA, Kanada, Australi dhe Izrael.

E, në Komision, për shkak të disa paqartësive, diskutimi lidhur me Projektligjin për Inspektoratin Sanitar dhe atë për Inspektoratin Shëndetësor, i cili ishte në rend dite, është shtyrë për javën e ardhshme.