LAJMET E MBRËMJES

Munguan votat për rishikimin e buxhetit dhe për pagën minimale

Projektligji për rishikimin e buxhetit për vitin 2022 dhe ai për lartësinë e pagës minimale nuk u miratuan të premten në Kuvend. Shqyrtimi i pagës minimale ka nxitur polemika mes deputetëve të partisë në pushtet dhe atyre në opozitë. Përveç kundërshtimit për t’i dhënë mbështetje këtij projektligji, opozita ka paralajmëruar protesta nëse projektligji përjashton kategorinë e veteranëve

Dy projektligje kanë dështuar të miratohen në seancën e së premtes në Kuvendin e Kosovës. Qeveria e udhëhequr nga LVV-ja, që ka fuqinë e numrave për t’i shtyrë para propozimet që kërkojnë shumicë të thjeshtë, ka mbërritur t’i mbledhë 54 deputetë në seancën e së premtes, numër i pamjaftueshëm për ta plotësuar kuorumin për nxjerrjen në votim të projektligjit për rishikimin e buxhetit. Po ashtu, votat i kanë munguar edhe për projektligjin për lartësinë e pagës minimale.

Diskutim i gjatë në Kuvend u bë për projektligjin që do të bënte plotësim-ndryshimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. Me caktimin e pagës minimale nga 170 euro në 264, është eliminuar efekti i kësaj rritjeje tek pensioni i veteranëve, i personave të verbër, si dhe tetraplegjikëve e paraplegjikëve. Deputetët opozitarë u deklaruan kundër këtij projektligji nëse i njëjti nuk ndryshohet dhe nuk përfshin rritjen e këtyre pensioneve në lartësinë e pagës minimale, sidomos atë të veteranëve.

“Kategoritë më të ndjeshme që kanë kontribut në shtetndërtimin e Kosovës po shkelen dhe po degradohen duke u larguar me këtë ligj, siç janë veteranët, të verbrit, tetraplegjikët dhe paraplegjikët. Ne si parti nuk do të votojmë dhe do të jemi kundër në këtë formë”, ka thënë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku.

Rritja e pensionit të veteranit aq sa pretendohet të rritet paga minimale ishte kërkesë edhe e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri, paralajmëroi se do të ketë protesta të mëdha të veteranëve, të cilat do ta shtyjnë Ekzekutivin të zmbrapset nga propozimi që ka dhënë.

“Po ju paralajmëroj që do të lëshoni pe, sepse protestat e veteranëve do t’ju detyrojnë të lëshoni pe. Po ju lus të ulemi, të dakordohemi, të rregullojmë çështjen e kësaj kategorie, përndryshe do të ketë protesta të mëdha, s’po i thërras unë, po ky do të jetë reagimi”, ka thënë Tahiri.

Ky ngulm i AAK-së për rritjen e pensionit të veteranëve, kur po flitej për pagën minimale, sipas deputetit të pushtetit Arbër Rexhaj, kishte një arsye. Ai tha se është AAK-ja ajo që ka rritur numrin e veteranëve, shifër për të cilën Rexhaj theksoi se edhe komandantët e UÇK-së janë deklaruar se nuk ka qenë aq e lartë gjatë kohës së luftës.

“Pse Aleanca po i mbron kaq shumë veteranët është se Aleanca e ka shumëfishuar këtë kategori. Duhet të thuhen këto të vërteta”, ka deklaruar ai.

E zëshme përveç AAK-së ishte edhe PDK-ja. Diskutimet për veteranët përshkallëzuan edhe në polemika për kontributin që është dhënë gjatë luftës. Deputeti Hisen Berisha e akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se ka tendenca për t’i mohuar vlerat e luftës dhe për t’i diskriminuar veteranët.

“Nëse keni komplekse nga fakti se s’keni qenë në periudhën e duhur pjesë e madhështisë së luftës për liri, që të jep qenia e luftëtarit të luftës për liri, veteran i kësaj lufte, invalid apo familje dëshmori, nuk është e ndershme t’i luftoni këto vlera”, ka thënë Berisha.

Për këtë deklaratë Berisha mori një reagim të kryekuvendarit, Glauk Konjufca, i cili ia tërhoqi vërejtjen që të mos komunikohet me këtë gjuhë, meqë të gjitha grupet parlamentare, sipas tij, kanë veteranë të luftës të cilët mund të ndihen të ofenduar.

“Nuk bën të hyhet andej, sepse ka të secilit grup parlamentar që ofendohen, sepse kanë qenë pjesë e UÇK-së. Prandaj është gabim të flitet në mënyrë monopolizuese për luftën çlirimtare. Nuk është në rregull të flitet prej dimensionit të komplekseve se kush ka qenë e kush s’ka qenë”, ka shtuar Konjufca.

Kritika për këtë projektligj pati edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Deputeti i kësaj partie, Avdullah Hoti, ka thënë se projektligji i propozuar nga Qeveria është kundër parimit bazë të vendosjes së pagës minimale, duke shtuar se e njëjta vendoset për ta ruajtur standardin minimal të jetesës, ku hynë të gjitha kategoritë e jo siç janë përjashtuar disa nga Qeveria. Ai kritika ka pasur edhe për shkallët tatimore, duke e cilësuar si naivitet heqjen e tatimit deri në pragun e pagës minimale.

“6.8 euro në muaj, kaq është dallimi si për ata me pagë të ulët, si për ata me paga të larta. Ky ndryshim nuk prodhon asnjë efekt, është aq i vogël sa nuk ka ndikim fare në standardin e jetës dhe efektin që dëshiron të arrihet me të”, ka potencuar Hoti.

Nga votimi i këtij projektligji u përmbajtën PDK-ja dhe LDK-ja, ndërsa AAK-ja votoi kundër. Ndryshe nga grupi i tij parlamentar, kundër ka votuar edhe deputeti i LVV-së, Fatmir Humolli.

Pos pagës minimale, debat u bë edhe për Projektligjin për rishikimin e buxhetit për vitin 2022. Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se po bëhet një rishikim i jashtëzakonshëm në mënyrë që të reflektohet rritja e të hyrave te nevojat e qytetarëve. Sipas tij, në tremujorin e parë të vitit 2022 ka pasur rritje të të hyrave prej 17 për qind më tepër dhe se vlera që i shtohet buxhetit është mbi 150 milionë euro. Deputeti i LVV-së, Armend Muja, ka theksuar se gjatë qeverisjes së LVV-së është eksportuar aq sa është eksportuar gjatë qeverisjeve të tjera për një dekadë.

“Në katër muajt e parë të këtij viti ne po i eksportojmë 290 milionë euro, a besoni që Kosova krejt dekadën prej 2011 deri më 2019 krejt vitet i ka eksportuar 290 milionë euro. Është duke ndodhur diç e jashtëzakonshme që kërkon studim”, ka thënë Muja.

Për këtë deklaratë reagoi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se këto shifra i kanë sjellë kompanitë të cilat gjatë kohës që pushtetin nuk e udhëhiqte LVV-ja, ata eksportues i quante oligarkë.

“Zoti Muja, kur po thoni kemi eksportuar, a po mendon Qeveria? Ju Qeveria e Vetëvendosjes keni eksportuar? A e di kush ka eksportuar, oligarkët që i keni quajtur deri dje ata kanë eksportuar”, ka thënë ajo.

Buxheti për vitin 2022, përveç LDK-së, pa efekte zhvillimore u cilësua edhe nga PDK-ja e AAK-ja. Sipas tyre, pjesa më e madhe e tij është planifikuar për politika populiste të Qeverisë Kurti, siç thanë, për të blerë paqen sociale me ata qytetarë që janë në nevojë. Pas diskutimit, rishikimi nuk u miratua, meqë në kohën e votimit në sallë nuk ishin as gjysma e 120 deputetëve sa ka Kuvendi.