Ministria e Arsimit ka planifikuar që në vitin 2023 të angazhojë edhe 300 asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuara. Zëvendësministri Dukagjin Pupovci, ka thënë se zotimi do të realizohet, meqë mbështetja e këtillë parashihet në grantin specifik të arsimit parauniversitar. Ai ka bërë të ditur se do të punësohen edhe 30 specialistë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit dhe 59 këshilltarë për orientim në karrierë në nivelin e shkollave të mesme të ulëta
Shtim të numrit të asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuara për vitin 2023 kanë premtuar të premten në Ministrinë e Arsimit. Zëvendësministri Dukagjin Pupovci ka thënë se zotimi do të realizohet, meqë mbështetja e këtillë parashihet në grantin specifik të arsimit parauniversitar.
“Pra, tanimë është ndarë buxheti për këto që do t’ju them. Së pari, në vitin 2023 parashihet që të angazhohen edhe 300 asistentë të tjerë të fëmijëve me nevoja të veçanta. Pra, deri tani janë 200 të tillë që punojnë brenda sistemit dhe duke i angazhuar edhe 300 të tjerë ne faktikisht do t’i përmbyllim pak a shumë nevojat aktuale për asistentë të fëmijëve me nevoja të veçanta”, ka deklaruar Pupovci.
Pupovci ka dhënë zotime edhe për digjitalizimin e shkollave fillore e të mesme, e për punësim të specialistëve të teknologjisë.
“Parashihet që vitin tjetër të punësohen 30 specialistë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit nëpër komuna të cilët do të përkujdesen për digjitalizimin, përfshirë edhe mirëmbajtjen e kompjuterëve dhe të pajisjeve nëpër shkolla, si dhe 59 këshilltarë për orientim në karrierë në nivelin e shkollave të mesme të ulëta që do t’u ndihmojnë nxënësve që të përcaktohen për profesionet e tyre me rastin e përfundimit të shkollimit të obligueshëm”, ka thënë Pupovci.
Ndërkaq, për tepricën e mësimdhënësve, që sipas tij, është pasojë që rrjedh nga faktorët demografikë, është paraparë zgjidhje bashkëpunimi mes ministrisë dhe komunave.
“Ne këtë vit kemi zvogëlim mjaft të madh të sektorit publik, domethënë rreth 12.000 nxënës, dhe kjo ka ndodhur si për shkak të çështjeve demografike, pra zvogëlimit të popullsisë së nxënësve, pra zvogëlimit të natalitetit pastaj shpërnguljeve e kështu me radhë, por edhe kalimit të një numri të nxënësve në shkollat e sektorit privat. Dhe kjo ka shkaktuar një tepricë të rreth 2,000 mësimdhënësve në sistemin e arsimit, por dua t’ju siguroj se për këta mësimdhënës faktikisht janë siguruar pagat edhe për vitin 2023 dhe ne në bashkëpunim me komunat do të bëjmë përpjekje që kjo, ta quaj ashtu, tepricë, të shfrytëzohet për një organizim më të mirë brenda shkollave. Jo medoemos për mbajtjen e klasave të vogla, por thjesht për të shtuar disa shërbime shtesë të cilat ne për momentin nuk i kemi nëpër shkolla si shkak i kufizimeve financiare”, ka thënë Pupovci.
Zëvendësministri ka folur edhe për disa nga proceset e vlerësimit të njohurive të nxënësve.
Ai ka bërë të ditur se testi i maturës do të organizohet më 18 qershor.
“Numri i maturantëve është diku rreth 24 mijë dhe mund të ketë edhe nxënës që vijnë nga vitet e kaluara. Testi do të organizohet sikur viteve të kaluara brenda një ditë. I ka tri lëndë të përgjithshme dhe një zgjedhore”, ka deklaruar Pupovci.
E, tek i është referuar testit ndërkombëtar PISA, ka bërë të ditur se do të vazhdojë deri më 20 maj. Ai nuk ka dhënë ndonjë projeksion për rezultatin që nxënësit e Kosovës do ta shënojnë.
“Mendojmë se këtë herë rezultatet do të jenë shumë më të pasura, sesa herëve të kaluara dhe do të mund të nxjerrim përfundime më relevante. Është me rëndësi, natyrisht, që përmes administrimit të mirë të sigurohet që rezultatet të jenë të besueshme dhe ky është i gjithë qëllimi ynë se shpesh po na pyesin a pritni përmirësime apo nuk pritni përmirësime”.
Këtë vit, rreth 7 mijë nxënës të lindur në vitin 2006 do t’i nënshtrohen testit PISA, që ka nisur të enjten dhe do të përfundojë më 20 maj. Sipas Pupovcit, shumica e pyetjeve kësaj radhe do të jenë nga lënda e matematikës.