Formimi i komisionit hetimor për menaxhimin e krizës energjetike do të jetë pikë e rendit të ditës në seancën e 28 prillit, e cila u caktua të martën nga Kryesia e Kuvendit.
Në mbledhjen e Kryesisë u debatua kryesisht për çështjen e formimit të Komisionit Hetimor, për të cilin opozita e pushteti po interpretojnë ndryshe ligjin.
Nisma e PDK-së për ta formuar këtë komision hetimor nuk po përkrahet nga pushteti, meqë po konsiderohet në mospërputhje me Ligjin për Hetimin Parlamentar.
Vetëvendosje po vlerëson se PDK-ja ka marrë nënshkrime nga të gjitha grupet parlamentare dhe ka iniciuar këtë kërkesë duke mos lënë hapësirë për një grup të vetëm parlamentar joinicues që të udhëheqë me komisionin, ashtu siç përcaktohet, meqë koalicionit qeverisës nuk i lejohet.
Një gjë të tillë, Agnesa Haxhiu, monitoruese e punës së Kuvendit në KDI, thotë se e mbështet edhe ligji dhe, sipas saj, gjatë inicimit të komisionit nga opozita është bërë një gabim procedural.
“Të drejtën e inicimit të një komisioni e ka një e treta e deputetëve siç ka ndodhur tash. Dhe, në këtë rast, zgjedhja e kryesuesit te neni që e specifikon mënyrën se si duhet të përzgjidhet kryesuesi thotë që kryesuesi nuk duhet të jetë nga radhët e grupit iniciator të atij komisioni hetimor dhe në rastin e tillë kur komisioni hetimor themelohet me një të tretën e deputetëve, nënkupton që themeluesit janë ata që nënshkruajnë kërkesën për themelim”, ka thënë Haxhiu.
Ajo thekson se pushteti në këtë rast duhet të gjejë zgjidhje për ta mundësuar formimin e këtij komisioni dhe ta shmangë bojkotin e opozitës.
E kryetarja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari, ka propozuar dy mënyra për ta proceduar këtë komision në këmbim të mbështetjes së tij.
“E para, mund të tërhiqen nënshkrimet e njërit grup parlamentar, në këtë rast i vetmi grup me nënshkrime më pak është grupi i Aleancës dhe të merren nënshkrimet e një grupi tjetër parlamentar që tashmë vetë është nënshkrues, Listës Serbe. Apo të tërhiqet komplet ajo kërkesë dhe të procedohet prej njërit grup parlamentar të opozitës dhe të votohet në atë përmbajtje”, u shpreh Kusari.
Por opozita ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga forma e procedimit të Komisionit.
“E kemi pasur edhe një kërkesë më herët të iniciuar nga 6 deputetë për themelimin e komisionit hetimor parlamentar me temë hetimin e blerjes së energjisë elektrike, hetimin e shpenzimeve të mbi 100 milionë eurove, hetimin e punësimeve në KEK, i cili ishte rrëzuar me votë nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha Abelard Tahiri.
Bojkoti i opozitës për votim në komisione dhe seanca plenare mund të lërë peng një varg projektligjesh e marrëveshjesh ndërkombëtare.
“Është vendim politik i grupit tonë parlamentar, ne nuk votojmë përderisa nuk ka një vendim për ta mbështetur komisionin hetimor, nuk votojmë as në komisione, as në seancë për arsye se e shohim plotësisht si precedent të keq”, pohoi Besnik Tahiri, shef i deputetëve të AAK-së.