LAJMET E MBRËMJES

Shtyhet ekzekutimi i vendimit për shtrenjtim të rrymës

Foto: Driton Paçarada

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që nga e premtja e 8 prillit të shtyhet ekzekutimi i vendimit të ZRRE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike. Ky aktvendim i Gjykatës ka ardhur pas padisë që Partia Demokratike e Kosovës ia ka ngritur ZRRE-së. Derisa nga ZRRE-ja, Qeveria e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë pranuar të deklarohen, dy partitë opozitare, PDK-ja dhe LDK-ja, e kanë përshëndetur vendimin e Gjykatës

Prej datës 8 të këtij muaji, faturat e energjisë elektrike mund të mos vijnë me rritje. Një padi e deponuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga Partia Demokratike e Kosovës kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji, është bërë shkak që Gjykata të nxjerrë aktvendim që ta shtyjë përkohësisht ekzekutimin e vendimit të ZRRE-së, për shtrenjtim të rrymës për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë/orë në muaj.

Ky aktvendim i Themelores do të vlejë derisa Gjykata të dalë me një vendim përfundimtar për këtë çështje. Për qëndrimet e tyre ndaj këtij vendimi, kanë heshtur nga ZRRE-ja, Qeveria e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, derisa partitë opozitare kanë kërkuar respektim të vendimit nga organet gjegjëse.

Në arsyetimin e Gjykatës Themelore thuhet se shtyrja e ekzekutimit të vendimit do të mundësojë evitimin e shkaktimit të pasojave financiare për qytetarët, përkatësisht ekonomitë familjare të cilat janë duke paguar çmim më të lartë të energjisë elektrike në raport me periudhën para marrjes së këtij vendimi.

“Gjykata përfundimisht vlerësoi se shtyrja e këtij vendimi do të shmangte pasojat e mundshme që do të shkaktoheshin në të ardhmen, nëse vendimi i ZRRE-së, në fund të procesit gjyqësor, rezulton se është marrë në kundërshtim me ligjin”, thuhet në aktvendim.

Për ta kumtuar këtë aktvendim të Gjykatës, PDK-ja të shtunën ka dalë me një konferencë për media ku u ka bërë thirrje për respektim të vendimit ZRRE-së, Qeverisë, Presidencës e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat, sipas shefit të deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, kanë qenë palë të angazhuara në shtrenjtimin e rrymës. Tahiri ka shtuar se PDK-ja nuk ka mundur të mos marrë veprime ndaj, siç e ka quajtur ai, diskriminimit të qytetarëve në baza etnike.

“Koha dëshmoi që kemi ndjekur hapat e duhur që ky vendim të anulohet. Ne jemi kritikuar shumë që nuk kemi marrë pjesë në protesta, që nuk e kemi kundërshtuar me mjete të dhunshme, por koha na dha të drejtë që ky vendim do të duhej të sfidohej me mjete ligjore dhe këtë e arritëm”, ka thënë Tahiri.

Njësoj edhe deputeti i PDK-së, Ferat Shala, e ka lavdëruar punën që ka bërë grupi i tij parlamentar në këtë drejtim, derisa ka shtuar se vendimi i Gjykatës, sipas tij, e konfirmon se Kuvendi duhet të themelojë Komisionin Hetimor Parlamentar për ta trajtuar çështjen e menaxhimit të energjisë.

“Vendimi i sotëm i gjykatës është një konfirmim shtesë dhe një motiv shtesë juridik për nevojën urgjente të ngritjes së komisionit hetimor parlamentar, për të cilin tashmë e kemi bërë kërkesën bashkë me 40 nënshkrime në mënyrë që e vërteta dhe paligjshmëria dhe pabarazia në këtë sektor të dalë në shesh”, ka thënë Shala

Aktvendimin e Gjykatës e kanë përshëndetur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Xhafer Tahiri nga LDK-ja ka thënë se joligjshmëria e vendimit të ZRRE-së ishte paralajmëruar nga ta qysh para miratimit të tij. Kësisoj, në emër të LDK-së, Tahiri ka kërkuar nga Qeveria që të vijë me propozime të reja për tarifat.

“Ne jemi të kënaqur që Gjykata ka marrë vendim dhe ka marrë këtë masë mbrojtëse dhe siguruese për qytetarët e Kosovës. Ne presim si LDK reflektim nga ZRRE-ja dhe njëkohësisht kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të vijë me propozime të reja për tarifat e energjisë elektrike”, ka shtuar ai.

Sipas juristit Anton Nrecaj, nga data e aktvendimit të Gjykatës, që është marrë më 8 prill, ZRRE-ja duhet të kujdeset që të mos i faturojë konsumatorët me tarifat e reja, sepse në të kundërtën, “Zyra e Rregullatorit bën shkelje ligjore dhe rrezikon implikimin e bordit të drejtorëve në vepra penale”. Nrecaj ka thënë se nëse vendimi i prerë i Gjykatës e vendos në anën e gabuar ZRRE-në, qytetarët duhet të kompensohen për faturat që i kanë paguar me shtrenjtim.

“Me aktgjykim të formës së prerë, qytetarëve që u janë faturuar tarifat e reja nënkupton që duhet t’u rimbursohen në faturën e radhës”, ka thënë ai.

Gjatë ditës, pavarësisht insistimit të KOHË-s, nga Zyra e Rregullatorit për Energji nuk kanë pranuar ta komentojnë këtë çështje e as të flasin nëse do ta respektojnë këtë vendim apo do ta ankimojnë atë. Nuk janë përgjigjur as nga Qeveria e Kosovës e as nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilat, gjatë kohës kur ZRRE-ja priste propozime për tarifat e reja, ato kishin dhënë komente në mes tjerash duke propozuar edhe pragun prej 800 kilovatësh, të cilin e ka aplikuar Zyra e Rregullatorit. Për ta zbutur ndikimin e shtrenjtimit të rrymës te qytetarët, Qeveria fillimisht kishte ndarë 75 milionë euro e më pas edhe 15 milionë të tjera për ta subvencionuar rrymën për qytetarët e bizneset.