Planifikimi i vizitave në terren, ishte një ndër pikat e rendit të ditës të Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Deputetët propozuan që gjatë muajit prill t’i bëjnë një sërë vizitash në institucionet, si: IKSHPK, klinika të caktuara brenda QKUK-së, QKMF e në qendra të personave me aftësi të kufizuara
Procesi i zgjedhjes së drejtorëve të disa klinikave të QKUK-së dhe menaxhimi i listave të gjata të pritjes, janë konsideruar shqetësuese nga opozita. Në mbledhjen e së martës, anëtarët e Komisionit për shëndetësi dhe mirëqenie sociale kanë ritheksuar parregullsitë në sistemin shëndetësor, kryesisht ato në Qendrën Klinike e Universitare të Kosovës.
Nënkryetari i Komisionit, Armend Zemaj, ka thënë se për këto zhvillime të fundit në këtë institucion nuk kanë parë asnjë veprim e as deklarim nga ministri Latifi.
“Ministri nuk mundet më, pas sa kohe, të thotë se unë u njoftova nga ju, unë nuk e di, unë e kam këtë projekt. Ne duhet të shohim veprime, të cilat sadopak e përmirësojnë, edhe ashtu nuk ka qenë mirë apo për mashalla që nga paslufta e deri më sot asnjë institucion shëndetësor. Mendoj se duhet të ndërmarrim masa, ta ftojmë ministrin dhe të marrim përgjigje konkrete prej tij se cili është opinioni i tij. Ai çka është duke ndërmarrë. A është i njoftuar për ato që po ndodhin para syve të tij, apo ne jemi gabim”, ka thënë Zemaj.
E deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka përmendur një defekt të njërës nga aparaturat që mund të ketë ndikuar në rritjen e listës së pritjeve.
“Jam i shqetësuar se si në takimet që kemi qenë..., edhe menaxhmenti, edhe Bordi e kanë mbajtur fshehtë se njëri nga dy aparatet e koronarografisë ka më shumë se dy muaj që është jashtë funksionit. Pra, është defekt dhe nuk është raportuar atë ditë, që ajo lista e pritjes për koronarografi dhe stentime ka të bëjë edhe me prishjen e njërit prej aparateve. Dhe tash çështja është pse të mbahet fshehtë? Pse të mos kërkohet nga ne si deputetë që t’iu sigurojmë buxhet që të riparohen”, ka thënë Haxhiu.
IKSHPK-ja, QKMF-të, depoja farmaceutike e klinika të caktuara brenda QKUK-së, janë disa nga institucionet që planifikohen të vizitohen gjatë prillit nga anëtarët e Komisionit për shëndetësi dhe mirëqenie sociale.
Gjatë diskutimit të vizitave në terren ishin deputetët e pozitës ata të cilët patën propozime më ndryshe për vizita të caktuara.
Deputeti i LVV-së, Mirsad Shkreta, ka thënë se këta mekanizma duhet të vijnë dhe të raportojnë në Komision për sfidat dhe problematikat që i kanë, duke përmendur vizitën e fundit që kishin si komision në Bordin e SHSKUK-së.
Propozimin e mbështeti edhe deputetja Labinotë Demi-Murtezi, duke kërkuar që takimet t’i realizojnë në Kuvend.
“Kuvendi është për këto çështje, i incizojmë vetë bisedat, transparenca është në maksimum, nuk ia kemi askujt borxh njëri-tjetrin me incizu pjesë të caktuara dhe me flirtu pastaj me to në momente të caktuara”, ka thënë Demi-Murtezi.
Në mbledhje, mes të tjerash, u kërkua që të vihet në fokus më shumë kujdesi primar shëndetësor e po ashtu të rritet trendi i vaksinimit në vend.
Për të përcjellë punën e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, si dhe me qëllim të sensibilizimit të qytetarëve për vaksinim, anëtarët e Komisionit u pajtuan që në mëngjesin e së enjtes të zhvillojnë vizita në këtë institut dhe në njërën nga qendrat e vaksinimit.