LAJMET E MBRËMJES

Dhjetë zyrtarë të Listës Serbe nën hetim të Agjencisë Kundër Korrupsionit

Është zgjatur lista e zyrtarëve të lartë të Listës Serbe që janë nën hetimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit. Nga dhjetë zyrtarët për të cilët ka hapur raste antikorrupsioni, pesë nga ta janë deputetë, një ish-deputet dhe dy kryetarë komunash. Por funksione të shumëfishta, Agjencia nuk do t’i quajë rastet kur zyrtarët që mbajnë pozita edhe në Kosovë edhe në Serbi. Ndërkohë, në shoqërinë civile kanë thënë se e shohin të domosdoshme përgjigjen e Prokurorisë për zyrtarët që mbajnë pozita si në institucionet e Kosovës e Serbisë

Agjencia Kundër Korrupsionit ka deklaruar se dhjetë zyrtarë të Listës Serbe po i heton për mosdeklarim të pasurisë.

“Pretendimet e zhvillimit të hetimeve janë për mosdeklarim të të hyrave/pasurive dhe funksioneve”, ka shkruar Agjencia në një përgjigje për KOHËN.

Por, pavarësisht raportimeve për pozitat e dyfishta për këta zyrtarë, AKK-ja ka thënë se nuk është në dijeni për shkelje të tilla.

“Agjencia kundër Korrupsionit nuk është se ka trajtuar ndonjë zyrtar të lartë që ushtron funksion në shtetin e Kosovës dhe në Serbi. Agjencia nuk ka pasur kërkesa apo informata të shkeljeve potenciale të kësaj natyre”, thuhet në përgjigjen e agjencisë.

Fokusin Agjencia thotë se do ta mbajë te funksionet e shumëfishta brenda sistemit kosovar.

“Kryesisht fokusi i identifikimit të funksioneve të shumëfishta e që janë në konflikt interesi, është brenda sistemit institucional të Kosovës, dhe të bizneseve të regjistruara në ARBK”, shkruhet në përgjigjen e AKK-së.
Pesë deputetë aktualë të Listës Serbe janë aktualisht duke u hetuar nga agjencia. Ata janë: Verica Qeraniq, Zoran Mojsilloviq, Ljubinko Karaxhiq, Slavko Simiq dhe Igor Simiq. Deputetja e anëtarja e Komisionit për Buxhet, Punë e Transfere, Verica Qeraniq, në bazë të raportimeve të mediave serbisht të Kosovës, të paktën deri në fundin e vitit të kaluar ka mbajtur pozitën e drejtoreshës së zyrës së punësimit për Kosovë dhe Metohi.

“Drejtoresha e Shërbimit Krahinor të Punësimit për Kosovë dhe Metohi, Verica Qeraniq, ka deklaruar se bashkëpunimi i mirë i Shërbimit Nacional të Punësimit me qeverisjen lokale ka dhënë rezultate të shkëlqyera”, ka raportuar më 27 dhjetor të vitit të kaluar portali Radio Kontakt Plus, duke raportuar për një projekt të punësimit.

Mojsilloviq, ndërkohë është edhe drejtor i Qendrës Sportive në Mitrovicë të Veriut dhe mësimdhënës në Fakultetin e Sportit dhe Edukimit Fizik në Leposaviq, që e ka deklaruar edhe tek antikorrupsioni kosovar. Emri Zoran Mojsilloviq figuron edhe në faqen zyrtare të fakultetit fsfv.pr.ac.rs e ekzistimi i këtij fakulteti nuk është i paraparë në Ligjin për Arsimin në Komunat e Kosovës që i dha kompetenca të zgjeruara e ligjshmëri Universitetit të Mitrovicës Veriore.

Ish-kryetarit të Graçanicës, Ljubinko Karaxhiq, që tash është deputet, mediumi “Kosovo Online” i është referuar shef i Qarkut të Prishtinës në sistem të Serbisë për herë të fundit në nëntor 2021. Lajmi më i vjetër për zgjedhjen e tij është ai i 2013-s në portalin e Radiotelevizionit të Serbisë.

Antikorrupsioni po heton edhe ish-kryetarin e Shtërpcës, Bratislav Nikolliq, që siç ka raportuar Radio Evropa e Lirë në gusht të vitit të kaluar, është edhe kryetar i Komunës Paralele të Shtërpcës. Ai është edhe një nga 10 të arrestuarit më 21 dhjetor të vitit të kaluar, që dyshohet nga Prokuroria për përfitim të paligjshëm të 1 milion eurove për ndërtime pa leje në komunën që udhëhiqte.

AKK-ja po e heton edhe kryetarin aktual të Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq dhe atë të Leposaviqit Zoran Todiq. Todiqi është kryetar i Leposaviqit në të dyja sistemet, derisa Radojeviqi është kryetar i Mitrovicës së veriut dhe mban pozitë në Fondin Pensional të Serbisë. Ndërkohë, më herët është raportuar edhe për Sllavko Simiqin që ka mbajtur pozitën e shefit të qarkut të Mitrovicës deri më gusht të 2022-s në bazë të faqes zyrtare të Zyrës për Kosovën, e Igor Simiqi figuron drejtor në zyrën e Fondit Pensional Invalidor të Serbisë për Kosovë.

Në listën e AKK-së është edhe ish-deputet e ish-ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, që mbante e pozitën e kryetarit të komunës paralele të Zveçanit, në kohën kur mbante mandatin e deputetit. Ndërsa i dhjeti është Goran Rakiqi, ministri i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim që njëkohësisht është drejtor i ndërmarrjes komunale “Standard” e regjistruar vetëm në Serbi.

Në kontrast me AKK-në, në shoqërinë civile thonë se puna në dy sisteme nënkupton edhe konflikt interesi, gjë që është nën kompetencë të AKK-së. Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit për drejtësi ka thënë se Agjencia ka raste kur mund t’i detyrojë zyrtarët shtetërorë të zgjedhin në mes të pozitave. Të qartë e sheh ndeshjen në mes të funksioneve që mbajnë zyrtarët e dyfishtë.

“Në rastin konkret në radhë të parë është konflikt interesi në dukje që është ajo që e përcakton Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit si masa kur një zyrtar i lartë publik nuk duhet të ushtrojë funksione të tjera të cilat në sytë e publikut në njëfarë mënyre e cenojnë besimin se ai është në gjendje t’i ushtrojë kompetencat në bazë të ligjit”, ka thënë Miftaraj.

Ai insiston se Prokuroria duhet ta bëjë një hetim të pavarur, të paanshëm e të drejtë lidhur me personat që mbajnë pozita të dyfishta.

“Kodi penal e përcakton si keqpërdorim të detyrës ose autoritetit zyrtar çdo moment kur nëse ti mban një pozitë si kryetar i komunës në Kosovë dhe pastaj të jesh kryetar i një komune tjetër...e para ti po e cenon rendin kushtetues, juridik të Republikës së Kosovës, sepse nuk ka logjikë që një kryetar i ligjshëm i Republikës së Kosovës të ushtrojë edhe një detyrë tjetër paralele”, ka thënë Miftaraj.

Në Prokurorinë Speciale kanë thënë se deri më tani nuk ka pasur rast të tillë të iniciuar nga Prokuroria, derisa nuk kanë treguar nëse veprimet si mbajtja e pozitave në dy shtete përbëjnë vepër penale.