Ishte pejane, por ajo ishte bërë “nuse e Gostivarit” siç e quanin me krenari banorët e qytetit të vogël rrëzë maleve të Sharrit. Dhe jo rastësisht qytetit shqiptar në Maqedoni, Gostivarit, i takoi të ishte vendprehja për trupin e saj.
“Shanka”, siç e njohën familjarë, miq e kolegë, ishte vërtet “nusja” e hijshme e interpretimeve nga gurra e melosit popullor. Në mesnatën e së dielës, në moshën 74-vjeçare, Shahindere Bërlajolli – Stafai ka dhënë frymën e fundit në banesën e saj në Gostivar, ku jetonte me të birin, Arditin.
“Më erdhi sikur një zë nga brenda që diçka nuk ishte në rregull. Ishte sikur një ndjenjë që më thoshte të shihja nënën. Me të hyrë në dhomë nuk dëgjova frymëmarrjen e saj”, kishte përkujtuar mes lotësh i biri i saj, Arditi.
Kohëve të fundit sëmundja e eshtrave kishte nisur t’ia merrte anën e ajo të zinte shtratin. I përlotur e me një lëmsh që i lidhet në grykë, Arditi, po ashtu këngëtar, ka thënë se ende nuk është i përgatitur emocionalisht për të hyrë në dhomën e saj.
“Është e pamundur emocionalisht të hyj në dhomën e saj. Nuk e dëgjoj zërin e saj. Çdo mëngjes e pinim kafen së bashku”.
Në praninë e pak familjarëve, Shahindere Bërlajolli – Stafai është varrosur po të dielën në Gostivar. Gjendja e pazakontë pandemike privoi dy djemtë e saj në Prishtinë – Albanin e Astritin – të mungonin në varrim. E artistë nga gjithë hapësira shqiptare kanë marrë sakaq në telefon familjen Stafai në Prishtinë: Eda Zari, Inva Mula e Ramë Lahaj, mes shumë të tjerëve, kanë ngushëlluar zonjën e këngës shqipe.
“Që këngës shqipe t’i ruhej ngjyra!”
e bukura është kur artistët nderohen sa janë gjallë, por edhe pas vdekjes. Artistët e kësaj gjenerate të artë, në mesin e të cilëve ishte edhe nëna ime, kaluan nëpër kohëra të vështira në përpjekje për të pasuruar muzikën dhe për të mbajtur gjallë moralin kombëtar”, ka thënë Astrit Stafai, muzikanti virtuoz në instrumentet me tela.
Opusi i këngëtares ishte goxha i madh e që, sipas tij, arrinte deri në afër 300 këngë të incizuara. Por një pjesë e tyre do të digjej dhe humbiste gjatë viteve ’90.
“Nëna ka qenë e afërt dhe e dashur sidomos me gjeneratat e reja. Nuk ngurronte asnjëherë t’iu jepte këshilla për interpretimin e këngëve popullore”, ka thënë Astriti.
E tillë mirëkuptuese, ka vijuar ai, Shahinderja kishte qenë për të gjithë krijuesit e artistët e muzikës popullore.
“Si një vend i sapodalë nga lufta, nëna gjithmonë ka qenë e kuptueshme ndaj artistëve dhe situatës ku ndodhemi. E dinte se një ditë gjërat do të binin në vendin e vet. Ajo gjithnjë i udhëzonte ata që këngës popullore shqipe të mos i humbej as origjinaliteti e as ngjyra e saj”, ka thënë Arditi.
“Afërdita e Spasses”
Përmes rrëfimeve të kolegëve e miqve të saj të shumtë, ajo është vlerësuar si një nga interpretueset më të dalluara që për mbi 5 dekada do të nyjëtohej me zemrat e mendjet e publikut. “Bishtalecat palëpalë” e “Gajdexhiu” janë vetëm dy nga perlat e repertorit të saj që këndohen e rikrijohen edhe sot. “Unë këndoj më popullorçe”, pëlqente të thoshte shkurt e shqip për mënyrën e saj të të kënduarit. “Trekëndëshi” i krijimtarisë së tij ka pikënisje Pejën, ku shkëlqeu për herë të parë ylli i saj; Prishtinën ku ajo u afirmua si artiste e, në fund, Gostivarit, të cilit ia gjallëroi jetën kulturore.
“Okarina e artë” do të stoliste këngëtaren e talentuar pesë herë radhazi në të mirënjohurin festival “Akordet e Kosovës”. Kur kishte mbaruar degën e Pedagogjisë në Gjimnazin e Pejës, ajo kishte gjakuar të bëhej mësuese “si Afërdita e Sterjo Spasses”, siç do të rrëfente vite më vonë. Por ajo do bëhej larg më e madhe sesa modeli i një mësueseje të mirë. Ishte taksur nga fati që me këngë të lidhej me publikun e të mbante gjallë kulturën e muzikën shqipe mes kohërave të vështira.