Kulturë

Zë e piano mjeshtërisht në kapërcim epokash thyejnë realitetin

Për sopranon Besa Llugiqi, në situata si kjo e pandemisë, me koncerte pa publik, duhet shfrytëzuar imagjinatën.

“E si artistë jemi të prirë për këtë”, ka thënë sopranoja Besa Llugiqi, tek i është referuar koncertit të dytë të edicionit të 19-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës “ReMusica”.

E shoqëruar në piano nga mjeshtri Misbah Kaçamaku, koncerti – i incizuar më 22 gusht – është transmetuar premierë të mërkurën mbrëma në faqen e Festivalit. Ka qenë hera e parë që Llugiqi e Kaçamaku kanë interpretuar në Sallën e Kuqe të Prishtinës duke mos e pasur publikun para vetes. Emocionalisht u ishte dashur që të përgatiteshin më shumë, në mënyrë që të kalonin këtë barrierë dhe të arrinin që ta përçonin muzikën e tyre edhe virtualisht, shkruan KOHA.

Dyshja është fokusuar te fuqia e muzikës dhe për t’ia dalë edhe në kapërthimin e mesazhin që sivjet ka Festivali: s’ka dorëzim kundrejt pandemisë. Në vrullin e mendimeve kanë gjetur strehë te muzika dhe përmes saj kanë dashur që edhe publikut – ani pse kësaj radhe në distancë – t’i ofrojnë një hapësirë ku mund të ndihet i sigurt. Edicioni i sivjetmë i “ReMusicas”, që nisi tri ditë më parë, përfundon më 21 shtator.

Sopranoja e shquar Besa Llugiqi ka thënë se që në hapat e parë kur realizohet një koncert, qëllim i muzikantëve është që të përçojnë emocione te publiku. Këtë rast u është dashur që të jenë më mendjehapur dhe të imagjinojnë publikun në mendjet e tyre, të shpërndarë gjithandej dhe jo vetëm në sallë.

“Përgjegjësia ka qenë edhe më e madhe si për mua, ashtu edhe për profesorin Misbah. Nuk ka qenë e lehtë, sepse komunikimi ka qenë diku tjetër dhe jo drejtpërdrejt me publikun. Diku më thellë dhe më larg. Aspak e lehtë për ne, por e mundshme”, ka thënë ajo, duke shtuar se u kanë munguar duartrokitjet e publikut si një lloj aprovimi që është duke u pëlqyer koncerti. “Kjo ishte një zbrazësi në mes të pjesëve dhe ndikonte pak të ne, por që synimi për ne ishte më i madh sesa pjesa e duartrokitjeve dhe vlerësimit nga publiku”, ka thënë ajo.

Harmonia midis sopranos që është fituese e “Grand Prix” të konkursit “Elena Nikolai” dhe pianistit nga shkolla ruse (akademia e muzikës “Gnjesinih”) qe e dukshme. Dyshja kuptohet lehtë dhe ky komunikim u ka dalë në ndihmë mjaft mirë për të sjellë në mënyrën më të mirë programin e larmishëm të përgatitur brenda pesë ditëve.