Kulturë

Xhevdet Xhafa, artisti që me autobiografi zbërthen historinë e shqiptarëve

“Unë jam në këto piktura!”, thotë artisti Xhevdet Xhafa, sa herë që pyetet për artin e tij. “Autobiografia është imja dhe e të gjithë shqiptarëve”, konstaton prerazi ai. Qasjen e tillë dhe krejt artin e tij i zbërthen mjeshtërisht monografia për të e autores Suzana Varvarica-Kuka, e përuruar të enjten në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, që e ka botuar atë. Dëshmi e mjeshtërisë së maestro Xhafës, është ekspozita me veprat e tij e hapur bashkë me përurimin e monografisë

“Arti im ka të bëjë shumë me historinë shqiptare. Unë ndihem se jam artist shqiptar. Autobiografia është imja dhe e të gjithë shqiptarëve, çdo gjë e shprehur është e vërtetë. Çdo gjë e qëllimshme...Mua më duhet të vazhdoj...Bojërat, leckat – të gjitha i dua. Me këto materiale i shpreh ndjenjat dhe shqetësimet, të lidhura këto me zemrën, me mendjen, me kohën. Frymëzim, imagjinatë, guxim, ngarkesë psikike... Unë jam në këto piktura!”, thotë artisti Xhevdet Xhafa, sa herë që pyetet për artin e tij. Kjo thënie e tij nuk ka munguar as në monografinë me autore Suzana Varvarica-Kuka, e përuruar të enjten në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, bashkë me ekspozitën retrospektive me veprat e piktorit të shquar akademik.

Me publikimin e monografisë në gjuhën shqipe dhe atë angleze, publiku nëpërmjet një botimi të vetëm njihet me artin e Xhafës, veprat e të cilit janë vlerësuar nga kritika për tejkalim të kufijve të ish-Jugosllavisë në aspektin artistik.

“Këto vepra janë autobiografia ime dhe e vendit tim”

Xhafa u lind në Pejë më 7 maj 1934, kur sfondi historik dhe artistik në trevat shqiptare kishte një ekzistencë krejt të ndryshme nga sfondi historik i zhvillimit të artit në Evropë. Por, kjo nuk e kishte zmbrapsur që t’i drejtohej modernizmit. U bë një prej artistëve më të shquar, arti i të cilit i përket tërësisht modernizmit të Kosovës.

“Pikturat e Xhevdet Xhafës mbajnë një ngarkesë emocionale të fuqishme, për t’u shfaqur si një lloj i veçantë i ekspresionizmit abstrakt për një temë të ashpër sociale mbi kombin, që nuk ishte sikur më parë në territorin artistik të Kosovës, në atë të Jugosllavisë së shekullit XX, por edhe më gjerë në sistemin ballkanik”, ka shkruar Varvarica-Kuka në prologun e monografisë.

Aty një kapitull të veçantë ia ka kushtuar fillimit të ciklit “Autobiografi”, që nisi në vitin 1963 e vazhdoi edhe më tej. Sipas Varvarica-Kukës, “Autobiografia” është një cikël veprash që lindi prej fizionomisë politike të kombit, prej skamjes mbi dinjitetin njerëzor, kombinimit dhe riciklimit të sendeve, si dhe ngjyrave specifike të jetës së artistit.

Image
Veprat e përzgjedhura për ekspozitën në ASHAK, shfaqin origjinalitetin e krijimtarisë së Xhevdet Xhafës. Aty ngërthehen shprehjet e tij origjinale dhe lidhja e fuqishme e artit të tij me kombin, vendin e tij

Dhjetë vepra nga ky cikël janë ekspozuar edhe në ambientet e ASHAK-ut, ku u bë promovimi i monografisë duke sjellë të gjallë vokacionin modern të Xhafës.

Veprat shfaqin origjinalitetin e krijimtarisë së tij. Aty ngërthehen shprehjet e tij origjinale dhe lidhja e fuqishme e artit të Xhafës me kombin, vendin e tij. Vënë në pah se artisti i lë pas ngjyrat dhe nuk është se u kushton atyre shumë kujdes. Për të me rëndësi kanë materialet që i ekspozon në kanavacë, prej copave dhe objekteve të gjetura, pantallona, çorapë, këpucë, litarë. Ato shfaqin tensionin e artisti që mbërtheu të enjten edhe ambientin e ASHAK-ut. Kështu ai përmes veprave të tij paraqet edhe jetën e njerëzve të tij. Një dokumentim artistik e modernist.

Veprat e ekspozuara theksojnë animin e Xhafës drejt të bardhës e të zezës. Në një paralele me gjuhën kompjuterike ato janë 0 dhe 1-shi për të. Pikërisht këto vepra artisti i konsideron si autobiografi të tij kombëtare. “Këto vepra janë autobiografia ime dhe e vendit tim”, ka thënë ai gjatë promovimit të monografisë e para hapjes së ekspozitës.

Xhafa materialet, rrobat e gjësendet e ndryshme i lyen në të zezë a të bardhë, dhe i vendos me kujdes ose të rrudhosura në pikturat e tij. Kështu ato ngjallin kontrast brenda veprave dhe i shërbejnë artistit për t’i shtuar artit të tij bagazhin e interaktivitet. Veprat e tij nuk shfaqin vetëm stilin, por edhe rrëfejnë ndodhitë që ai i ka mbledhur gjatë jetës së tij.

Image
Me publikimin e monografisë në gjuhën shqipe dhe atë angleze, publiku nëpërmjet një botimi të vetëm njihet me artin e Xhafës, veprat e të cilit janë vlerësuar nga kritika për tejkalim të kufijve të ish-Jugosllavisë në aspektin artistik

Dominuese ishte veçanërisht e zeza, simbolike e historisë së rëndë të vendit që nga vitet ’30 e deri pas luftës duke shfaqur okupimin dhe skamjen. E zeza vjen fuqishëm, e rëndë, ngufatëse, pasqyrë e gjendjes së popullit shqiptar veçanërisht te piktura “Autobiografia” (1975) në teknikë të kombinuar ku janë zhytur në bojë të zezë 19 këpucë. Aty-këtu luan edhe me simbolika si te vepra ”Autobiografia” e 1996-s, ku nëpërmjet një “ë-je” ai dëshmon dashurinë që ka për kombin, respektin që duhet treguar për gjuhën dhe kujdesin për të ruajtur atë. Në anën tjetër, kjo zanore, si metaforë, shfaq edhe gjendjen e popullit të tij. Në ekspozitë nuk mungoi as piktura në të cilën është shkruar: “Wilson Clinton” dhe “History”. Në të shfaqen haptas nderi dhe respekti që artisti ka për SHBA-në. Sipas monografisë, pikërisht kjo vepër duket sikur përmbyll ciklin “Autobiografia”.

Botimi i monografisë ishte miratuar për botim në mbledhjen e Seksionit të Arteve të mbajtur më 3 qershor të këtij viti, në bazë të recensioneve të akademikut Rexhep Ferri dhe anëtarit korrespondent Luan Mulliqi.

Image
“Monografia, përmes gjuhës së shkruar qartë duhet të arrinte në një përfundim të cilin e përmban në titullin e saj: ‘Xhevdet Xhafa’, vokacioni modern i fizionomisë së një kombi’”, ka thënë Suzana Varvarica-Kuka (djathtas), autore e monografisë

Vokacioni modern i fizionomisë së një kombi

Sipas Mulliqit, Xhafa është një artist i veçantë e që njëherësh është edhe njëri nga pionierët e pikturës kosovare.

“Gjithnjë modern, gjithnjë ekspozues nëse mundem të them dhe një krijues me një volum jashtëzakonisht të madh të veprave në fushën e kulturës. Për më shumë se 60 vjet, Xhevdet Xhafa krijoi një opus jashtëzakonisht të madh të pikturave, kryesisht të pikturave dhe instalacioneve të cilat përmes ekspozitave kolektive u ekspozuan në shumë vende të botës e përmes ekspozitave vetjake në shumë vende të Evropës”, ka thënë Mulliqi gjatë promovimit.

Image
Xhafa luan edhe me simbolika, si te vepra ”Autobiografia” e 1996-s, ku nëpërmjet një “ë-je” ai dëshmon dashurinë për kombin

Autorja e monografisë, Suzana Varvarica-Kuka, ka thënë se në fillesë e njihte artin e Xhafës në disa drejtime, por jo në të gjitha. Ka shtuar se gjatë punës mësoi se artisti nuk ishte një artist dosido dhe as një artist i thjeshtë, sepse krijimtaria e tij kishte rrugëtuar në disa shtigje plot vështirësi e befasi.

“Para tavolinës sime të punës kisha dhjetëra e dhjetëra shënime, tekste të shkruara e mendime estetike. Përpara vetëdijes kisha psiken e artistit, vetë artistin, ngjarjet e rënda, imazhet reale të njerëzve të përvuajtur, veprat e artistit dhe gjuhën time studimore”, ka thënë ajo gjatë promovimit. Sipas saj, kjo e fundit duhej të arrinte të nxirrte në pah tri obligime të rëndësishme.

“Së pari misionin dhe qëllimin e tërësisë së krijimtarisë unike të Xhevdet Xhafës, së dyti të gjente thelbin e ekzistencës së saj në platenë e artit të kombit. Së treti, të arsyetonte mbi qëndrueshmërinë në kohërat që do të vinë, të universales në artin e Xhevdet Xhafës”, ka thënë Varvarica-Kuka.

Kjo situatë ka shtuar se kishte bërë të arrijë në një aksion të dytë: se kjo gjuha meditative e shkruar duhej të ishte një gjuhë kreative krah kreativitetit dhe imagjinatës së artistit Xhevdet Xhafa.

“Ajo nuk duhet të ishte vetëm e veçantë. Monografia, përmes gjuhës së shkruar qartë duhet të arrinte në një përfundim të cilin e përmban në titullin i saj: ‘Xhevdet Xhafa’, vokacioni modern i fizionomisë së një kombi’”.

Vetë artisti, në promovim të monografisë, ka thënë se krijimtaria e tij, mendimi i tij ishte i pastër, i sinqertë.

“Fjalët e mira që i shkrehi zonja Suzana e për të cilën kam respekt, drejtpërdrejt ka përshkruar fizionominë time të shprehjes. Jam mirënjohës për të gjithë ata që më kanë përkrahur në realizimin e kësaj monografie time. Falënderoj shumë organet e Akademisë, posaçërisht kryetarin e Akademisë, Mehmet Krajën, për përkrahjen dhe ndihmën që më ka dhënë”, ka thënë Xhafa.

Image
Në ekspozitë nuk mungoi as piktura në të cilën është shkruar: “Wilson Clinton” dhe “History”. Në të shfaqen haptas nderi dhe respekti që artisti ka për SHBA-në. Sipas monografisë, pikërisht kjo vepër duket sikur përmbyll ciklin “Autobiografia”

Xhafa, Shkollën e Mesme të Artit, si brez i pestë, e kreu në Pejë (1959), ndërsa studimet i kreu në Akademinë e Arteve në Lubjanë në klasën e prof. Gabriel Stupicës. Edhe studimet pasuniversitare i kreu me sukses në këtë akademi (1962-1967). Punoi për shumë vjet si ligjërues dhe profesor i lëndës së pikturës në Akademinë e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Dha mësim për studentë të studimeve të rregullta e më vonë edhe për studentë të studimeve pasuniversitare. Dha ndihmesë në edukimin e shumë brezave të artistëve të rinj derisa u pensionua.

Krijimtaria e tij artistike përfshin pikturën si disiplinë aplikative në artin bashkëkohor. Ka hapur disa ekspozita personale (Pejë, Prishtinë, Novi-Sad, Kragujevc, Nish, Beograd, Dubrovnik, Shkup, Paris) dhe në shumë ekspozita kolektive në vend dhe jashtë vendit (Kosovë, Francë, Slloveni, Kroaci, Serbi, Bosnjë, Austri, Itali, Angli, Australi, Zelandë e Re, SHBA, Indi). Është shpërblyer me disa çmime dhe mirënjohje kombëtare dhe ndërkombëtare (Lubjanë, 1971; Prishtinë, 1974, 1975, Çmimi Nacional në Cannes, 1975; Mirënjohje nga Bienalja në New York, 1980l; Medalja e Artë e ULUS-it në Beograd 1985). Disa nga veprat e tij gjendjen në disa galeri e muze të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Prej vitit 2012 është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Jeton dhe vepron në Prishtinë.